“Nëna e përqafuar me fëmijët, gjyshja me mbesën”, familja Lala përcillet nesër në banesën e fundit

AKTUALITET


Familja Lala ishte edhe më e prekura nga tërmeti ku 8 anëtarët e saj mbyllën sytë përgjithmonë pas shembjes së vilës 4-katëshe në zonën e ish kënetës në Durrës. Homazhet për përcjelljen e familjes Lala në banesën e fundit do të mbahen më 30 nëntor në orën 11:00.

Familja me origjinë nga Dibra që prej vitesh jetonte në Durrës, nuk mund t’i shpëtonte tërmeti tragjik, pasi rrënojat e shtëpisë së tyre i bllokuan brenda duke u marrë dhe jetën. I vetmi që arrit të dilte i gjallë nga rrënojat ishte Ramë Lala, 17 vjeç, i cili është dërguar për kurim në Itali.


Sahadete Lala, 79 vjeç, ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala, 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala dhe 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër. Bashkëshorti i Marjeta Lalës që humbi të katërt fëmijët ishte në Itali, ashtu edhe vëllai tjetër i cili në këtë tragjedi humbi vajzën, Griselda Lalën, 22-vjeç.

Nëna e 4 fëmijëve, Marjeta Lala u gjet e përqafuar me dy fëmijët binjak 2-vjeçar, Dionis dhe Dionisa Lala, ndërsa fëmija tjetër Amelia Lala, 9 vjeçe, u gjet e përqafuar me gjyshen Sahdete Lala, të gjithë të nxjerrë të vdekur nga rrënojat.

Nga banesa u nxorën të vdekur dhe Emilio Lala, Ilir Lala, i cili ishte i paralizuar dhe Griselda Lala. Nxjerrja e trupa nga vila “e vdekjes” në zonën e ish Kënetës përfundoni mbrëmjen e të enjtes, ndërsa të shtunën pritet të bëhet ceremonia mortore e familjes.




Skip to toolbar