Foto/ Tirana e Partizani ndihmojnë familjet e prekura nga tërmeti

AKTUALITET


Dy klubet e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani janë solidarizuar duke grumbulluar ndihma për familjet e prekura nga tërmeti. Klubi bardheblu ndihmoi 80 familje në zonën e Ndroqit. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare, Klubi Tirana thotë se “shkoi në dyert e shtëpive të rrezikuara duke dhuruar dyshekë, batanije, veshje, ushqime dhe material higjenike për familjet në nevojë. Ne nuk do të ndalemi, më shumë se një klub futbolli, ne jemi Tirona”, thuhet në njoftimin e klubit bardheblu. Edhe klubi i Partizanit bëri të njëjtën gjë, duke u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Thumanë dhe Bubq.

“Stafi, lojtarët dhe grupimi “Ultras Guerrils” i Partizanit, ishin prezent në Thumanë e Bubq, zona të prekura rëndë nga tërmeti i tmerrshëm i së martës. Stafi dhe lojtarët kanë shpërndarë ndihma të konsiderueshme ushqimore dhe materiale, duke qenë pranë familjeve të prekura në këto momente të vështira që po përjetojnë. Një falenderim shkon për partnerin tonë FIOL për gadishmërinë dhe suportin e dhënë. Mbështetja e FK Partizani do të vijojë edhe përgjatë ditëve në vazhdim me të tjera kontribute ushqimore, bazë materiale dhe financiare, në ndihmë të personave dhe familjeve të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore”, thuhet në një njoftim të klubit të kuq.





Skip to toolbar