Kombëtarja do të përballet të enjten me Andorrën në “Elbasan Arena”, në sfidën e parafundit Eleminatore të Euro 2020. Trajneri Edy Reja foli në konferencë për mediat të mërkurën, duke u shprehur fillimisht se Andorra duhet respektuar maksimalisht. “Kam një skuadër me djem inteligjent. Ia kam transmetuar se pika jonë e referimit është ndeshja me Andorrën. Duhet të kemi një rritje nga ana mentale. Nuk duhet nënvlerësuar kjo ndeshje, duhet të japim 110% të kapacitetit tonë”, tha Reja.
Cikalleshi mungon në dy ndeshjet e fundit të kombëtares. Për trajnerin Reja do të jetë një mungesë e rëndësishme, por ai shprehet se janë të gatshëm 5 sulmues për dy ndeshjet e fundit. “Siç e dini Cikalleshi na ka dhënë një rendiment në ndeshjet që ka luajtur. Kemi në kontingjentin tonë 5 sulmues. Kemi Kamberin, Manajn, Uzunin. Sulmuesit tanë kanë të njëjtin nivel dhe karakteristika të njëjta. Unë do të vendos nesër duke parë gjendjen më të mirë fizike. Kush do që do luajë do të japë maksimumin. Kemi dhe Seferin dhe Balajn, që janë shumë të rëndësishëm. Kemi djem të tjerë që do japin më të mirën”, tha trajneri.
Skema pritet të jetë si gjithmonë, 3-5-2. Trajneri Reja e argumenton këtë si modul që i jep më shumë mundësi sulmit. “4-3-3 është moduli im i preferuar, e kam thënë më para, por me 3-5-2 ne kemi dy sulmues qendror. Dy anësorë që sulmojmë dhe dy mesfushor qendre. Kështu që kemi më shumë mundësi të sulmojmë. Nëse nuk ke dy sulmues krahu të shpejtë dhe dy mbrojtës krahu është e vështirë. Është e vështirë, pasi nuk kemi shumë kohë, për të provuar modul të ri. Ndihemi mirë me këtë modul dhe djemtë mund të arrijnë rezultate më të mira”, tha trajneri.