Nga eurobondi te buxheti, Ahmetaj: Pozitive fakti që kemi marr borxh 10-vjeçar

EKONOMI


Zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj teksa fliste për buxhetin e vitit 2022 në parlament, u ndal në pikat kryesore të tij. Ai tha se në buxhet, një nga aspektet më pozitive është dyfishimi i ndihmës ekonomike.

Digjitalizimi sipas tij, por edhe rindërtimi, janë disa nga aspektet e tjera pozitive, e që qeveria është duke punuar. Sa i përket marrjes së eurobondit, Ahmetaj tha se është pozitive fakti që kanë marrë një borxh të huaj me afat 10-vjeçar


“Momenti i diskutimit të buxhetit bëhet menjëherë pas daljes së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare për një shumë prej 600 e ca mln euro. Kur diskuton pozita dhe opozita për buxhetin, kanë të mirat dhe elementët social, infrastrukturorë dhe fiskal që mund të gjykohen për mirë, nga ana tjetër për jo mirë. Varet nga ngjyra që secili nga ne merr për veten, qytetarin. Po shumëkush e di mirë që çdo herë testohemi dhe testohemi në tregun ndërkombëtar në sy të investitorëve që janë akull të ftohtë. Kompanitë e vlerësojnë Shqipërinë në aspektin monetar, ekonomik dhe makroekonomik. Testi kaloi me shumë sukses. Shqipëria shënoi një rekord për daljen afatgjatë, sepse është hera e parë që marrim një eurobond me afat 10-vjeçar. Tërmeti dhe pandemia kanë lënë gërvishtjet afatgjata në fytyrën e një ekonomie, por mënyra se si jemi zgjeruar, tregon se kjo mazhorancë dhe Shqipëria vetë ka arritur një maturim në fiskal. Të kthesh kohën mbrapa e kupton që klasa politike ka fituar maturinë për të mos luajtur me financat publike.

Përgjegjshmëria fiskale është e konsoliduar sidomos vitet e fundit. Buxheti që kalojmë sot, ia vlen të diskutohet me përgjegjshmëri në mënyrë që të transmetojmë te qytetarët atë që përcjell ky buxhet. Buxheti ka disa kryefjalë, e para është ajo në ndihmë të familjeve në nevojë. Nga kjo përfitojnë 15 mijë familje, që i dyfishohet ndihma ekonomike, për shkak se në fëmijët e tyre kanë tre fëmijë apo më shumë nën moshën 18 vjeç kjo është ndjeshmëri sociale e një mazhorance. Mundësitë buxhetore, në kuadër makro kur borxhin duhet ta ulim çdo ditë, sigurisht që është një ndjeshmëri e lartë sociale. Megjithëse rifituam të gjitha vendet e punës pas pandemisë, sërish menduam që shtimi i paketës për të papunët është i rëndësishëm. Brenda paketës sociale janë disa elementë që kanë të bëjnë me fëmijët dhe rininë. Pjesa tjetër është infrastruktura kritike. Këtu futet blloku kryesor i investimeve publike. Edhe në një moment si ky, prapë balanca koherente është pozitive. Në respekt të asaj që thotë opozita, 80% borxhi publik normal që është i lartë. U zgjeruam si 100 vende e kusure. Janë 100 vende që janë zgjeruar, edhe Gjermania ka shkuar në 80% të borxhit publik. Ne kemi nisur të ringrihemi. Unë mendoj se po rritemi me shpejtësi dhe arsyeja pse po rritemi janë 2, është kujdesi i qeverisë dhe praktikisht e gjitha vibrancë ekonomike që reflektohet në rritjen e importeve, eksporteve dhe konsum. Një nga arsyet e rritjes ekonomike është konsumi. Jemi shumë larg të qenit rozë të situatës. Digjitalizimi është një nga kryefjalët e këtij buxheti. Po kalojmë në një revolucion digjital. Sot, 94% e shërbimeve publike janë online.

Pikë së pari platforma ofron shërbime për qytetarët. Dua t’ju informoj që po nisim një projekt për të afruar digjitalizimin akoma më shumë. Dikush nga ju mund të thotë se ka qytetarë që nuk e kanë instrumentin online apo digjital afër. Buxheti mbështet disa sektorë, midis tyre dhe bujqësia. Ky debat ka rezultuar në një vëmendje të madhe të të gjitha palëve. Shifrat tregojnë që vëmendja ka funksionuar. Është mbi 100 % rritja e eksportit. Peshkimi ka bërë revolucion në vetvete. Është koha ta mbështesim. Të krijohet flota shqiptare moderne, ashtu si Malta, Italia, Kroacia, Greqia. Në 5 deri në 8 vitet që vijnë Shqipëria të ketë kuotat e veta të peshkimit dhe të shërbejë si një nga nën sektorët që gjeneron të ardhura për qytetarët. Në të njëjtën kohë dua të përmend që situata ekonomike në përmirësim është shpresëdhënëse.

Shumëkush nga ju, mund t’i referohen kredisë. Ajo po rigjallërohet. Importi i makinerive dhe pajisjeve rritet dhe po shkon në 10 %. Kjo do të thotë që importi i makinerive është vlerë e shtuar. E njëjta gjë ka ndodhur dhe për kursimet. Ato janë rritur se janë rritur të ardhurat e disponueshme. Debati se sa shumë janë rritur të ardhurat është debat i drejtë. Praktikisht jemi duke folur se si të rrisim të ardhurat më shpejt. Manifaktura është një nga elementët. Modelet pozitive në bujqësi janë një nga elementët. Të gjitha këto çojnë te ajo që kemi të gjitha palët në diskutim. Te pjesa e rindërtimit dhe pandemisë, po e mbyllim në krye të një viti maksimumi rindërtimin. Është bërë punë e madhe, e shpejtë. Ato njerëz kanë nevojë për ne, e në shtator të vitit tjetër duhet t’i kemi mbyllur të gjitha plagët që tërmeti shkaktoi. Fatmirësisht, rindërtimi ishte, është dhe do të jetë një nga injektorët kryesorë të rritjes ekonomike. Disa fjalë edhe për paketën fiskale. Paketa fiskale furnizon atë moto, atë logjikë politike që mazhoranca ka pasur. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Taksa progresive ka rezultuar balancuese për të ardhurat. Nëpërmjet taksës progresive kemi bërë të mundur rritjen e të ardhurave dhe kemi ngarkuar qytetarët më pak me taksa. Ky debat është i denjë. Taksa mbi punën është vetëm 5.6% këtu dallojmë”, tha Ahmetaj.