Nga mbrojtja te sulmet, Bushati me dy qëndrime për Pjetrin dhe Doshin

AKTUALITET


Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, Ditmir Bushati foli me tone të ashpra ndaj partisë së tij për rastin e emërimit të Valdrin Pjetrit si kandidat për kryetar bashkie në Shkodër. Ish-drejtuesi politik, aktualisht deputet i Shkodrës, kritikoi PS, duke u shprehur se “duhej të kërkohej falje”, për Valdrin Pjetrin. Megjithatë, ky duket një standard i dyfishtë i deputetit socialist, pasi ai vetë e ka promovuar Valdrin Pjetrin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të. Në fjalimin e datës 20 qershor në mitingun elektoral në këtë qytet, gjatë fjalës së tij Ditmir Bushati do të shprehej kështu për Valdrin Pjetrin: “Është kjo arsyeja përse ne prezantojmë një djalë të Shkodrës, një djalë të shkolluar të Shkodrës, një djalë i cili edhe kur ka qenë me studime në Itali, edhe kur ka ushtruar detyra të rëndësishme në administrimin publik nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me Shkodrën. Ai është Valdrin Pjetri. Ne jemi të bindur që me Valdrin Pjetrin, shërbëtorin numër 1 të këtij qyteti, ne do të kemi mundësinë të hapim një kapitull të ri për Shkodrën që duam, për Shkodrën e Shekullit 21… Ndaj sot dua t’u kërkoj që me brohoritje të mbështesim Valdrinin”, shprehej ndrë të tjera Bushati.

Megjithatë, në pak muaj, dhe mbi të gjitha pas publikimit të skandalit se Pjetri kishte fshehur të dënimin në Itali, Bushati ka ndryshuar mendim. Nëse Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama u distancua duke u shprehur se  “përgjegjësia është personale dhe nuk do të lejojë që PS të marrë kosto”, Bushati kërkon që fajin ta mbajë Partia. Këtë deklaratë ai e bëri nga selia Rozë, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS mbrëmjen e 28 gushtit.  “Natyrisht kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet thjesht dhe vetëm në mënyrë ligjore e procedurale. As me zhvendosje vëmendje, me shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar. Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politikë, të themi edhe na falni për rastin në fjalë dhe për komunitete të caktuara dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”, tha Bushati.

Megjithatë, ishte Taulant Balla që u shpreh se “qytetarëve të Shkodrës i kemi kërkuar falje për Pjetrin”, duke shtuar gjithashtu se Partia Socialiste do të ashpërsojë ligjin e dekriminalizimit për të parandaluar fenomene të tilla si rasti pjetri. Po mbrëmjen e së mërkurës më 28 gusht, Bushati deklaroi gjithashtu se në të shkuarën Partia Socialiste i ‘largoi’ njerëz si Pjetri, ndërsa brenda kryesisë ka sulmuar PS edhe për aleatët që kanë mbështetur  njerëz si Pjetri. Ndonëse nuk është përmendur me emër, referenca është për deputetin tom Doshi, kryetar i Partisë Social Demokrate. Edhe në këtë rast, standardi është i dyfishtë. Mbrëmjen e 20 qershorit, përpara se të shkonte në Shkodër, Bushati dhe kryeministri Edi Rama u ndalën në Vaun e Dejës, ku kërkuan votën për Mark  Babanin, partinë e Tom Doshit dhe kandidatin Babani e quante “vizionare”.  

“Unë jam i bindur që për Markun do të jetë disa herë më e lehtë. Do të jetë disa herë më e lehtë, sepse Marku do të ketë mbështetjen e pakushtëzuar të Kryeministrit Rama për të bërë realitet projektet dhe vizionet që ka Marku, Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, koalicioni ynë i gjerë, në mënyrë që edhe këtu në Vaun e Dejës të hapet një kapitull i ri”, shprehej Bushati. Por. Mbrëmjen e 28 gushtit, pas mbledhjes së kryesisë, ish-numri një i Shkodrës, foli për njerëzit me të shkuarë të dyshimtë ‘që u përjashtuan nga radhët e PS’, gjë për të cilën, sipas Bushatit, u përshëndet dhe nga SHBA.



Skip to toolbar