Pak minuta pasi varrosi bashkëshortin, gruaja humb jetën në një aksident rrugor. Tragjedia ndodhi në Papër të Elbasanit, ku pas ceremonisë së varrimit të bashkëshortit, makina me të cilën po udhëtonte gruaja Fatime Hoxha u përfshi në një aksident të 3-fishtë.
Viktima Fatime Hoxha, 58 vjeç, ishte duke u kthyer nga morti me një makinë tip ‘Seat’, së bashku me familjarë të tjerë, ku në afërsi të fshatit Papër automjeti i tyre humbi kontrollin dhe u përplas me dy makina të tjera.
Nga aksidenti humbën jetën Fatime Hoxha 58 vjeçe, Fatushe Agolli 64 vjeçe, Lume Hoxha 28 vjeçe dhe Jonida Kotorri 30 vjeçe, të gjitha nga Gramshi. Gjithashtu u plagosën 3 drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident, Gëzim Kotorri, Oltion Shehi dhe shtetasi me iniciale E.R., të cilët janë jashtë rreziku për jetën.
Aksidenti ndodhi si pasojë e shpejtësisë dhe humbjes së kontrollit të mjetit për shkak të lagështisë. Makina është rrotulluar disa herë në rrugë dhe më pas u godit nga dy makina të tjera. Nga përplasja makina tip ‘Seat’ përfundoi në kanal dhe është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të nxjerrë viktimat nga automjeti.