Meta nuk beson qeverinë

AKTUALITET


Pas panikut të krijuar nga një lajm “fake news” se vendi do të përfshihej nga një tërmet me përmasa të mëdha, ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta. Me një shkrim në rrjetet sociale, Meta, duke përgjithësuar problemin e lajmit “fake” dhe anashkaluar emrat konkretë nën akuzë, me të cilët kalon çdo fundjavë, ka kërkuar bashkëpunim dhe solidaritet nga “institucionet, politika, shoqëria dhe media, duke ruajtur frymën e qetësisë”. “Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerëson ruajtjen e qetësisë nga të gjithë dhe rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës, pas tronditjeve të ditëve të fundit”, ka deklaruar ai.

Më tej, Meta kërkon përgjegjshmëri për evidentimin e pasojave të dëmeve. Presidenti duket mosbesues te institucionet shqiptare, të cilët kanë kompetencën ligjore për të bërë vlerësimin e dëmeve materiale të tërmetit, si dhe Instituti i Ndërtimit, specialistët e të cilit do të duhet të vlerësojnë sigurinë e banesave të ndërtuara. Në këtë frymë mosbesimi, Meta kërkon ndihmë nga jashtë, duke i sygjeruar qeverisë që të ftojë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara.


“Transparenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente. Në veçanti, vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm për të ardhmen. Ndaj duke vlerësuar dhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Europian, Presidenti Meta i kërkon qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore”, shkruan ndër të tjera Meta.

Në fund, Meta kërkon që të mos keqpërdoret situata, duke u shprehur se kjo nuk është rruga e duhur, ndërsa përsëritë thirrjen për solidaritet. “Keqpërdorimi nga kushdo i kësaj situate, nuk është rruga e duhur për të përballuar një shqetësim të përgjithshëm, në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme, vetëm në interes të qytetarëve të traumatizuar nga tronditjet dhe pasojat në banesat e pronat e tyre. Të gjithë duhet të shtojnë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare”, përfundoi Meta kamzhikun e butë për opozitën, kryesisht LSI, e cila ka qenë e ashpër këto ditë ndaj qeverisë.




Skip to toolbar