Yjet e Botës në Tiranë për bamirësi. Detaje për dy ndeshjet

AKTUALITET


Ashtu siç ishte paralajmëruar, në datën 10 janar do të luhen dy ndeshje mes Shqipërisë dhe Italisë si dhe Turqisë dhe Greqisë në “Air Albania Stadium”. Në fushë do të zbresin brezat e artë të këtyre ekipeve, me Italinë që u shpall Kampione e Botës në 2006, apo Greqinë që fitoi Euro 2004. Këto ndeshje po zhvillohen nga Sindikata e Futbollit, ndërsa mbështetet dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. FSHF doli me një deklaratë të dielën, ku jep detaje të këtij organizimi. Ndër të tjera, FSHF thekson se paratë e mbledhura nga shitja e biletave, do të shkojnë për të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit.

“Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në fushën e Air Albania Stadium në datë 10 janar. Ky festival i futbollit me emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës në 2006, apo Hasan Şaş i cili ishte një nga liderat e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis, synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportadëshit me emrat e mëdhenj të futbollit tonë dhe atij ndërkombëtar. Të gjithë të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit”.


“Federata e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve, fton të gjithë sportdashësit në këtë festival të paharrueshëm, ku do të performojnë në fushën e blertë emra të dashur, historikë dhe kampionë të futbollit, pa harruar edhe performancën artistike të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Le të bashkohemi në këtë turne për të dhënë sadopak ndihmesë për të prekurit. Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët. Federata e Fubollit është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura. Ka nisur tashmë evidentimi i shtëpive”, thuhet në deklaratën e FSHF.




Skip to toolbar