Kur Shqipërinë e ka kapluar kriza politike, ka nga ata që kërkojnë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta që të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje situatës. Por avokati Spartak Ngjela e sheh si të pamundur këtë sepse sipas tij, vetë Meta është bashkë me opozitën për të penguar reformën në drejtësi.
Gjatë një interviste të dhënë për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se kërcënimet e Metës me vetëvrasje janë mesazhe që ai iu çon ndërkombëtarëve për të ndalur reformën sepse e ndjen veten në rrezik.
“Flasim që presidenti të ulë palët për të zgjidhur krizën, por si mund ta bëjë ai këtë kur vetë presidenti nuk e do reformën në drejtësi. Ai është kundër për vete. Këtë e kanë kuptuar të gjithë dhe e di edhe politika perëndimore që ai është kundër reformës në drejtësi. Ai ka bërë lloj-lloj budallallëqesh, ka thënë do jap dorëheqjen, do vras veten. Është i dëshpëruar edhe ai si opozita sepse po i shtrëngohet laku. Këtë tregojnë deklaratat e tij. Opozita kërcënon përmes protestave të dhunshme, ndërsa ai me deklarata se do të vrasë veten për të shpëtuar nga reforma në drejtësi. Këta janë njerëz të pushtuar nga frika. Kërkojnë rrugë-dalje pa arsye”, shprehet Ngjela.
Avokati u shpreh i sigurt se reforma nuk ndalet dot. Në vijim të intervistës, Spartak Ngjela komentoi edhe protestat e opozitës. Sipas tij, aktet e dhunës të përdorura në tubime nuk tregojnë gjë tjetër veçse frikë dhe dëshpërim. Spartak Ngjela mohoi se opozita ka mundësi të bllokojë zgjedhjet e 30 qershorit, siç kërcënon.
“Kërcënimet e Berishës dhe gruas së Ilir Metës janë të kota. Proceset zgjedhore siç thonë ata nuk bllokohen asnjëherë. Mendojnë të trembin politikën amerikane dhe destabilizim të Shqipërisë, por SHBA i ka parë që nuk kanë forcë. Këta kërkojnë që t’i shqetësojnë dhe ata të ndalojnë reformën pastaj. Por këtë nuk e realizojnë dot sepse nuk kanë forcë. Nuk destabilizohet Shqipëria, nuk përsëritet një 1997 e dytë ashtu siç thotë Berisha me 2.500 njerëz, shumica të paguar që hedhin fishekzjarrë. Optika e politikës amerikane tallet me Berishën dhe Kryemadhin.
Sesi do të shkojë më tej nuk e di, por zgjedhje do të ketë. Kush do t’i ndalojë? Zgjedhjet nuk ndalohen dot se ashtu thotë Basha me Berishën. Janë rreth 500 qendra votimi, ja ndalove 6 apo 8 qendra. Në rregull, është njësoj sikundër bie tërmet. Si të bjerë tërmet në ato qendra, si të dalin të çmendurit dhe të ndalojnë zgjedhjet, fare mirë mund të përsëriten zgjedhjet në këto qendra që janë prishur. Kjo është e përcaktuar në ligj. Opozita kurrsesi nuk mund të pushtojë të gjitha qendrat e votimit. Kështu që në vendet ku nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për probleme të ndryshme, caktohet një ditë tjetër zgjedhjeje. Atë ditë kur zhvillohen zgjedhjet në këto qendra që i kanë prishur këta, sigurohen me forca policie dhe ushtria. Kaq është! Janë të humbur, nuk bëjnë dot asgjë. Nuk thotë kot Rama që kush i prek zgjedhjet do t’iu ndalohet hyrja në SHBA-BE. Ja kanë thënë që ky do të jetë qëndrimi i Perëndimit dhe do t’i godasë rëndë. Do të ketë goditje nesër a pasnesër, me siguri”, tha Ngjela.