Nivel i lartë nitrati te frutat e perimet, AKU rrëzon akuzat: Nuk ka vend për panik

AKTUALITET


Ditët e fundit mediat televizive kanë ngritur si shqetësim nivelin e lartë të nitrateve te frutat, veçanërisht tek pjepri, duke përdorur si matës një aparaturë për të cilën AKU thotë se nuk mund të merret si referencë e saktë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se nuk ka vend për panik përsa i përket sigurisë ushqimore në vend.


“Ajo çfarë u paraqit në media nuk përmban as detaje të integritetit dhe gjurmimit të mostrës së produktit (konkretisht, vendin e origjinës pra prodhuesin/fermerin, subjektin tregtues, kushtet e ruatjes, detaje të dokumentacionit shoqërues mbi këtë produkt), si dhe as besueshmërinë në përdorimin e aparatit dhe saktësinë e tij në matje” sqaron AKU.

Në lidhje me nivelin maksimal të lejuar të nitrateve në produktet ushqimore, inspektorët e AKU thonë se janë bërë të gjitha analizat dhe nuk parashikohet asnjë normë mbi nivelin e nitrateve në pjepër.

“Për rastin e trajtuar mediatikisht nuk ka vend për abuzim/manipulim apo spekullim në komunikimin publik duke krijuar panik të panevojshëm dhe fiktiv për konsumatorët.

Autoritetit Kombëtar i Ushqimit informon se nuk ka vend për alarm. Gjatë këtij viti kemi thuajse pesëfishuar eksportet tona në vendet e BE dhe jo vetëm, si dhe nuk kemi asnjë ngarkesë fruta-perimesh të kthyer mbrapsht në vendin tonë për arsye të nivelit mbi normën e lejuar të mbetjeve (nitrateve) në këto produkte (konkretisht pjepër).

AKU trajton me seriozitetin maksimal të gjitha indiciot apo denoncimet lidhur me problematika që mund të cënojnë sigurinë ushqimore, por rasti konkret nuk evidenton besueshmërinë e nevojshme si denoncim.

Në lidhje me nivelin maksimal të lejuar të nitrateve në produktet ushqimore, inspektorët e AKU, gjatë kontrolleve nuk kanë parë asnjë normë mbi nivelin e nitrateve në pjepër”, sqaron AKU.

Siguria ushqimore dhe përdorimi i hormoneve apo pesticideve është një temë mjaft e ndjeshme për qytetarët shqiptar. Por AKU qetëson se janë marrë masat dhe janë bërë kontrollohet e duhura për të mos lejuar të tilla abuzime.




Skip to toolbar