Një ditë pas zjarrit në QSUT/ Situata e qetë, pranohen vetëm urgjencat e rënda

AKTUALITET


Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë nuk i është kthyer normalitetit.

Një ditë pas zjarrit që ra në dhomën teknike në  katin  -1 këtu trajtohen vetëm pacientë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.


Të sëmurët që kërkojnë ndihmë në  numrin e telefonit  127 të Urgjencës Kombëtare në raste aksidentesh dërgohen  në  Spitalin e  Traumës, kur ankojnë probleme me tensionin apo zemrën tek “Shefqet Ndroqi” dhe kur i shqetësojnë ethet apo temperatura e lartë në Infektiv.

Ata që nuk kanë dijeni dhe paraqiten me makina private për të marrë shërbim në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”  orientohen  sipas gjendjes së tyre shëndetësore.   Në raste  të rënda  dërgohen drejt spitalit  me autoambulancë.

Ky plan masash për menaxhimin e urgjencave mjekësore u vu në zbatim të dielën.

Nuk ka  ende një datë kur urgjenca e spitalit qendror të Tiranës do ti kthehet normalitetit.

Aparaturat sipas drejtorisë së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”  po  testohen ndërsa pacientëve  nga rrethet në listë pritje për  ekzaminime  imazherike  iu është lënë një datë tjetër.

Një ditë më parë në bodrumin  e urgjencës  ra zjarr pasojë sipas policisë e një shkëndije elektrike.

Situata sipas  drejtoreshës Albana Fico u menaxhua shumë shpejt.  Nuk pati të lënduar  por vetëm dëme të kufizuara në një  dhomë teknike.




Skip to toolbar