Pasi janë zhvendosur përpara parlamentit, protestuesit kanë hedhur sërish mjete piroteknike në drejtim të godinës, duke sjellë tension në zonë. Kjo ka bërë që policia të përdorë autobotin e ujit për të bërë shpërndarjen e protestuesve.
Përveç ujit me presion, policia ka hedhur edhe gaz lotsjellës, ndërkohë që sulmi i protestuesve në drejtim të godinës së Kuvendit nuk është ndalur.
Policia ka bërë thirrje që drejtuesit e opozitës të largojnë protestuesit nga zona dhe të parandalojnë çdo akt dhune në drejtim të institucioneve.
Pas disa minutash dhunë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i ka bërë thirrje protestuesve të mos hedhin kapsolla, duke kërkuar shpërndarjen e tyre. Por sërish, disa protestues kanë vijuar të hedhin flakadanë ndaj policisë.
Pas thirrjeve të vazhdueshme disa forca të policisë kanë dalë për të bërë largimin e protestuesve në mënyrë fizike, ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi dhe nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili, të cilët kanë ndërhyrë duke u kërkuar protestuesve të largoheshin nga zona.
“I bëj të qartë Edi Ramës dhe të gjithë kriminelëve me uniformë. Nuk mund të nxisni qytetarët për dhunë. Qytetarët sot kanë kryer një protestë model dhe do jetë model deri në fund. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve kaq të pakët sa janë këtu qa pavarësisht provokimeve të policisë së shtetit të tërhiqen për të mos vënë në jetë skenarin për dhunë të Edi Ramës. Ta harrojë se mund t’i provokojë më qytetarët” – tha Bardhi
Pas thirrjeve të Bardhit, protestuesit janë larguar nga Kuvendi dhe policia ka rrethuar vendin për të vijuar me hetimet mbi dëmet e shkaktuara nga protestuesit.