Nuk janë paguar, lojtarët e Skënderbeut bojkotojnë stërvitjen

AKTUALITET


Kriza financiare nuk është një gjë e re për klubet e Superligës. Së fundi, probleme me financat janë shfaqur te Skënderbeu. Sipas Panorama Sport, lojtarët e klubit korçar kanë kohë që nuk janë paguar nga klubi. Ndaj, në shenjë proteste, lojtarët kanë bojkotuar seancën stërvitore të së martës. Lojtarët shkuan si zakonisht në stadium për të kryer stërvitjen, por morën vendimin të bojkotonin.

Trajneri Ilir Daja ka mbetur i befasuar kur u njoh me vendimin e lojtarëve. Lojtarët kanë qëndruar vetëm disa minuta në ambientet stërvitore të klubit dhe më pas janë larguar. Situata te Skënderbeu ka qenë e vështirë pas vendimit për dënimin me 10 vite përjashtim nga kupat e europës dhe gjobën 1 milion euro.


Klubi nuk arriti të përfitojë ulje apo falje të dënimit as në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, ndërkohë që drejtuesit e Skënderbeut janë shprehur se do të apelojnë vendimin në Gjykatën Federale në Zvicër. Megjithatë, dënimi nga UEFA e ka dëmtuar jo pak gjendjen financiare të klubit, që siguronte të ardhura të konsiderueshme nga pjesëmarrja në garat europiane dhe shitja e lojtarëve.




Skip to toolbar