Pas kërkesës së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka regjistruar sot procesin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci.
Nga hedhja e shortit është zgjedhur gjyqtar hetues i kësaj çështjeje Ardian Hajdari, ndërsa anëtare e Komisionit Disiplinor është edhe Ina Rama.
Gjykata ka shpallur fajtor, Luan Dacin dhe e denoi me 6 muaj burg, por që është konvertuar në 12 muaj shërbim prove.
Gjykata ka argumentuar se përmes deklarimit të rremë ai ka mundur të zgjidhet gjyqtar i KPA. Ish-gjyqtari duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës, si dhe nuk duhet të ketë kontakte me persona me rekorde kriminale.
NJOFTIMI I KPA
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor është regjistruar çështja (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt: “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”.
Më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.
Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë përbërjen siç vijon:
Kryesuese: Natasha Mulaj
Anëtare: Albana Shtylla
Anëtare: Ina Rama


