Pakti me PS, degët e PD Bashës: Duam protesta

POLITIKË


Vetëm një ditë pas paktit për reformën zgjedhore, krerët e degëve të Partisë Demokratike kanë dalë kundër kreut të opozitës pas marrëveshjes që ai bëri me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore, duke kërkuar që të rikthehen protestat, të cilat kanë ndaluar që pas zgjedhjeve vendore.

Takimi me krerët e degëve ka ardhur pikërisht një ditë, pasi opozita pranoi të ulet në tryezë me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore dhe pikërisht kjo ka qenë arsyeja që vetë kryedemokrati ka thirrur Kolegjin e Kryetarëve. Sipas informacioneve të marra nga News 24, lideri i PD-së u ka kërkuar kryetarëve demokratë në rrethe që të mbajnë gati strukturat për zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat që ka parashtruar prej kohësh opozita. Por, kryetaret e degëve të PD i kanë kërkuar Bashës që të rinisin protestat, kërkesë, e cila deri më tani nuk është marrë parasysh.


Kjo kërkesë është bërë herë pas here prej kryetarëve të degëve të PD, ndërkohë që Basha e ka shtyrë atë muaj pas muaji. Që prej qershorit 2019, kur u zhvilluan zgjedhjet vendore, Partia Demokratike i ka ndalur protestat. Fillimisht deklaroi se protestat do të riktheheshin në shtator dhe më pas u shtynë pas vendimit të BE për negociatat. Por dhe pas këtij vendimi nuk u ndërmor asnjë hap konkret, por u tha se do të zhvilloheshin protesta të vogla në rrethe. Megjithëse pati dy tre organizime të vogla, ato ndaluan dhe u deklarua se opozita do të rikthehej me protesta në fillim të vitit 2020, por tashmë duket se sërish Basha nuk është më i bindur për protesta, pavarësisht kërkesave të drejtuesve të PD në rrethe. Megjithatë, kjo kërkesë e bërë në Kolegjin e Kryetarëve pritet të diskutohet në kryesinë e PD në orën 19:00 të së mërkurës dhe ende nuk ka një vendimmarrje. Megjithatë, pakënaqësitë e demokratëve duket se ia kanë vështirësuar dhe më shumë drejtimin Bashës, i cili vetëm një ditë më parë, vendosi që të ulet në tryezë, ndërsa nga ana tjetër duhet të japë shpjegime për të vetët mbi angazhimin disamujor në protestat e opozitës, që nuk sollën asnjë rezultat konkret. /Realstory.al




Skip to toolbar