Foto që do të shihni në këtë shkrim, nuk tregojnë skena në ndonjës stadium shqiptar (ku zakonisht jemi mësuar të shohim grushte mes tifozëve). As më shumë e as më pak, në vendin që dikur kishte huliganët më të mëdhenj të futbollit, të cilët i rehabilitoi me ligje të ashpra, dhuna në shkallët e stadiumit është rikthyer.
Konkretisht, gjatë ndeshjes së javës së dytë të Premier League, mes Chelsea dhe Leicester në “Stamford Bridge”, u regjistruan disa skena sherri që degjeneruan me grushte mes tifozëve.
Madje, sherri i regjistruar në ndeshjen e së dielës, ishte shumë pranë bankinave të dy skuadrave. Mediat angleze kanë qenë kritike ndaj sigurisë në stadiume, duke e përshkuar situatën në fjalë si “tundje të sigurisë në rreshtin e parë të tifozëve”.
Ngjarja ndodhi mes tiofzëve të Chelsea, që shpërthyen në të bërtitura dhe të shara me njëri-tjetrin. Nuk dihen arsyet e incidentit, por ai ndodhi vetëm pak pasi Leicester shënoi golin e barazimit ndaj Chelsea, gjë që ka irrituar tifozët e “Bluve”.
Skena të tilla u regjistruan edhe në ndeshjen mes Liverpool dhe Southampton në ndeshjen e një dite më parë, çka detyroi policinë të ndërhynte për të parandaluar një përshkallëzim të situatës. Këto situata dhune kanë ngjallur kujtime të hidhura për anglezët, të cilët vetëm disa dekada më parë, kanë përjetuar skena të shmëtuara dhe dramatike të dhunës në stadiume.