Paralelet Shqipëri-Kirgistan: Kur SHBA sulmon korrupsionin, del në dritë “sovraniteti”

OPINION


Kur SHBA sulmon korrupsionin, del në dritë “sovraniteti”/ Sjellja njësoj nga Tirana në Bishkekun e Donald Lu

Më 9 dhjetor ishte Dita ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Në Shqipëri, ministrja e Drejtësisë foli për sfidën e luftës ndaj korrupsionit, të cilat vështirësohet në kohë pandemie.


Mijëra kilometra larg, në Uashington, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo shpalli futjen në “listën e zezë” të SHBA të një drejtuesi të Doganave të Kirgizstanit.

E njëjta listë ku Shqipëria “përfaqësohet denjësisht” nga Adriatik Llalla. Mijëra kilometra larg prej aty e prej këtu, zyrtarët kirgizë protestuan për “ndërhyrje në punët e brendshme” ndaj ambasadorit të SHBA në Bishkek, Donald Lu.

Eshtë një botë e vogël.

Kufijtë po zhduken, teknologjia i sjell njerëzit më afër, pandemia i largon. Por, sfida për vende si Shqipëria dhe Kirgizstani mbetet e njëjtë. Luftë ndaj korrupsionit, zbatim i ligjit, drejtësi. Për të ecur përpara.

Donald Lu u largua nga Shqipëria në vitin 2018, për të marrë detyrën e re në Kirgizstan, një vend me 6 milionë banorë, pjesë e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm. Diplomati amerikan iku larg, për të gjetur probleme të njëjta me ato që la në Tiranë.

Dikush mund të thotë se Lu la në Tiranë shijen jo të mirë të “peshqve të mëdhenj” të krimit e korrupsionit të cilët vazhduan notin të lirë. E megjithatë, merita e tij ështe se ndihmoi në shtrimin e rrugës së një reforme e cila po jep frytet e saj. E rrjedhimisht, ka dhe armiqtë e saj.

Ambasadori amerikan në kryeqytetin e Kirgizstanit është vënë se fundmi në shënjestër të një pjesë të politikës lokale për “ndërhyrje në punët e brendshme”. Nënkryetari i parlamentit, Mirlan Bakirov por dhe ministrja e Jashtme bënë deklarata publike duke e akuzuar se “po bën presion mbi hetimin”. Në fakt, zyrtari i korruptuar i Doganave që po hetohet, dyshohet se ka zhdukur 700 milionë USD.

Kjo retorikë sovraniste nuk është e panjohur në Shqipëri.

Jo pak herë, përfaqësuesit e opozitës kanë artikuluar një gjuhë anti-amerikane duke folur në mënyrë banale për “ambasada që nxisin sherre” dhe për “komplote ndërkombëtare” kundër Shqipërisë. Jo pak herë, kanë penguar rrjedhshmërinë e reformës në drejtësi, duke u kapur pas degëve të kalbura që reforma po i thyente një nga një.

Ambasada e SHBA në Tiranë u detyrua të mbante qëndrime publike, kundër idesë që qarkulloi nga opozita për kandidimin e një ish-gjyqtari të përfolur për korrupsion. E më tej, u detyrua të mbajë qëndrim publik kundër tentativë për bllokim e përbaltje ndaj drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Rasti i sulmit politik ndaj ambasadorit Donald Lu në Bishkek, na tregon 3 gjëra të rëndësishme.

E para, dëshmon se krimi e korrupsioni nuk kanë kufi dhe se sfidat dhe problemet janë të njëjta në vende në tranzicion si i yni.

E dyta, faktori amerikan është i impenjuar njësoj për të targetuar krim-korrupsionin si një nga faktorët kryesorë që mban peng demokracinë dhe zhvillimin e një vendi.

Dhe e treta, politika e vjetër e korruptuar ngjan shumë me njëra-tjetrën, nga Tirana në Bishkek. Tenton të bllokojë drejtësinë, të ruajë pasuritë e grabitura, të mbajë peng vendin dhe të flasë për “sovranitetin e vendit”, duke nënkuptuar në fakt “sovranitetin mbi korrupsionin”./Javanews




Skip to toolbar