Partizani shpreson që të luajë deri në fund të këtij sezoni në shtëpinë e tij të re. Klubi i “kuq” prezantoi të premten foto nga ecuria e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri dhe kompleksit sportiv, që po ndërtohet në periferi të Tiranës.
“Vijojnë me intensitet punimet në stadiumin e ri të Kampionëve. Aktualisht po përfundon veshja e fasadës së tribunës kryesore. Kanë përfunduar instalimet elektrike, hidrosanitare dhe ato të kondicionimit. Ndërkohë po vishet struktura metalike, e cila mbulon tërësisht tribunën qëndrore. Të gjitha ambjentet funksionale të stadiumit janë konform standarteve të UEFA-s”, thuhet në njoftimin e Partizanit.
Prej disa vitesh punimet për ndërtimin e kompleksit të ri sportiv të Partizanit kishin ngecur. Megjithatë, gjatë vitit 2019 punimet kanë avancuar dhe tashmë stadiumi po merr formë. Tribuna kryesore po shkon drejt përfundimit, ndërsa pritet që punimet të fillojnë edhe me tapetin e blertë. Partizani synon që gjatë pranverës së vitit të ardhshëm të zhvillojë ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020.