Derbi mes Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet të premten në “Air Albania Stadium”, është ndezur ende pa filluar ndeshja. Sapo Partizani, ekipi organizator, publikoi çmimet e biletave dhe tribunat që janë përcaktuar për tifozët e Tiranës, ka ardhur dhe reagimi i klubit bardheblu. Me anë të një deklarate në faqen zyrtare, Tirana shpreh pakënaqësinë për përcaktimin e tribunës nga Partizani. Sipas klubit bardheblu, ata kishin kërkuar që tifozët e Tiranës të qëndronin në tribunën “N”, e cila ndodhet në krahun e RTSH.
Kjo tribunë ka qenë historikisht (në stadiumin Qemal Stafa) e tifozëve të Tiranës. Por, Partizani vendosi që në stadiumin e ri, tifozët bardheblu të vendosen në tribunën “S), e cila ndodhet në krahun e parkut. Sipas njoftimit të klubit të Tiranës, të njëjtën kërkesë për tribunën ka bërë dhe Policia, por klubi i Partizanit ka refuzuar. Ndaj, sipas klubit 24 herë kampion i vendit, Policia e Tiranës ka refuzuar të marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes.
“Klubi i Partizanit si organizator i ndeshjes ka përcaktuar ndarjen e sektorëve të stadiumit “Air Albania” si dhe çmimet e biletave. KF Tirana ka kërkuar zyrtarisht që ndarja të bëhet ndryshe, duke kërkuar tribunën “Fatmir Frashëri” për tifozët bardheblu, tribunë e cila përkon me krahun nga qyteti. Për shkaqe sigurie të njëjtën kërkesë ka bërë dhe Policia e Tiranës, që pas refuzimit të Partizanit, nuk merr përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes”, shkruan klubi bardheblu duke publikuar edhe çmimet e biletave për tifozët e saj.