“Jo show dhe foto”, Basha: Qeveria të zbatojë propozimet e opozitës

POLITIKË


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se është mjaft e rëndësishme që të bëhet një vlerësim sa më i shpejtë i banesave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe se qeveria të marrë parasysh propozimet e opozitës me 5 pika për tejkalimin e situatës. Pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio, Basha tha se u diskutua për gjendjen e emergjencës, por edhe krizën politike. Kryedemokrati u shpreh se tragjedia e tërmetit tregoi qartë se shteti ishte i keqpërgatitur për të tilla raste. Ai i bëri edhe njëherë thirrje qeverisë që të zbatojë planin me 5 pika, që sipas tij është adoptuar nga Italia.

“Ne kemi nevojë urgjente për ndihma dhe vlerësimin sa më shpejt të banesave. Italianët ishin të parët, kam qenë vetë dëshmitar, ardhja e tyre nuk ishte vetëm mbështetje morale për efektivët tanë që gërmonin me duar të rraskapitur. Diskutuam për krizën politike dhe për vendosmërinë e opozitës për të dhënë kontributin përmes udhërrëfyesit të Bundestagut, reformën zgjedhore dhe zgjedhje te parakohshme. 26 nëntori ishte fatkeqësi natyrore por tregoi qartë sa i keqpërgatitur është shteti shqiptar për t’iu përgjigjur, qoftë në përgjigjen e parë të emergjencës apo dy javëve të kalojë, larg qoftë edhe sikur të përsëritet. Do të insistoj të kalohet nga fjalët dhe shfaqjet, dhe sjelljet intimiduese ndaj medias, një produkt me tepricë në këtë kohë krize, të kalojë në vepra. Propozimi ynë është ai që kemi parashtruar. Qeveria e ka për detyrë të përfundojë një orë e më parë vlerësimin e banesave, të mobilizojë të gjithë inxhinierët e mundshëm , të anulojë kontratat koncesionare duke përfituar nga gjendja e emergjencë. Propozimet opozita i ka marrë nga propozimet e këshillit italian të ministrave dhe i kemi adoptuar me ekspertët tanë. Janë plotësisht të bëshme. Janë propozimet që duke filluar nga Italia, kanë ndaluar dimrin ekonomik”, tha Basha.


Në lidhje me ftesën për dialog kryedemokrati e refuzoi atë duke thënë se fokusi i tij nuk është të bëj show, por të ndihmojë njerëzit. “Më vjen keq, por nuk kam asgjë për të shtuar, fokusi im dhe opozitës është të ndihmojmë njerëzit, jo te bëhemi pjesë e një shfaqje që na turpëron. Dialogu politik për reformën zgjedhore, sipas propozimit të shtatorit, përcaktojnë cilësinë e demokracisë dhe jo fotografia dhe jo fotot mes kryetarit të qeverisë dhe të opozitës” tha ai.




Skip to toolbar