Pas kërkesave për lirimin e ambienteve të KZAZ-ve, që nuk u morën në konsideratë nga KQZ, Bashkitë e opozitës kanë ndërmarrë një aksion të dhunshëm për të bllokuar procesin zgjedhor. Që të martën në mëngjes, Bashkia e Shkodrës dhe ajo e Tropojës, janë përplasur me policinë, me qëllim për të larguar me forcë KZAZ-të nga ambientet ku janë instaluar me vendim të KQZ, ku nuk kanë munguar edhe veprime të dhunshme, duke thyer dhe dëmtuar këto ambiente. Veprimet e dhunshme, që pritet të pasohen dhe nga bashki të tjera të djathta, kanë sjellë reagimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili nga Vlora u ka bërë thirrje bashkive që të mos bllokojnë procesin zgjedhor.
“Puna për 30 qershor po vazhdon. Ka disa kryetarë bashkie dhe individë që duan të pengojnë procesin, por nuk e arrijnë dot, pasi çdo gjë është kushtetuese. Kryetaret e bashkisë dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë. Procesi zgjedhor do të vijojë pavarësisht tensioneve. Kush mundohet të pengojë procesin zgjedhor do të përballet me forcën e ligjit”, deklaroi ministri Lleshaj.
Më herët, përfaqësues të Bashkisë Shkodër dhe militantë të PD-së kanë bllokuar KZAZ-në në këtë qytet dhe janë përplasur me efektivët e policisë.
Edhe në Tropojë, situata është agravuar mëngjesin e së martës, ku persona, të cilët dyshohen se janë shtyrë nga opozita dhe Bashkia e Tropojës, kanë bllokuar KZAZ numër 9, madje janë thyer xhamat dhe dyert. Këta persona gjithashtu kanë hequr materialet zgjedhore të vendosura pranë qendrës. Ndërkohë ka pasur përplasje me efektivët e policisë.
Këto konflikte kanë ardhur për shkak se bashkitë që drejtohen nga opozita kanë vendosur të zbatojnë dekretin e presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, ndryshe nga vendimi i marrë nga KQZ që administron zgjedhjet. KQZ vendosi ta cilësojë nul dekretin e Metës dhe të vazhdojë me organizimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Por duket se plani i opozitës është pikërisht ky, bllokimi i KZAZ-ve në bashkitë që ata drejtojnë.