Patozi sulmon ashpër Bashën: Ndaje mendjen jurist, O fol e mba, o…

Më të fundit


Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike, ka pasur një reagim të fortë ndaj kreut të PD-se, Lulzim Basha, pas entuziazmit të tij për mosnjohjen e 30 qershorit nga Gjykata e Durrësit. Patozi tha se nuk do të komentonte vendimin e çmendur të një gjykate, por ka përdorur sulme të ashpra në drejtim të Bashës. Patozi i është drejtuar me një shprehje të Shqipërisë së Mesme “O fol e mba, o dh.. e ha” duke treguar rastet që Basha nuk i mban kurrë fjalët e tij dhe se ndryshon qëndrim sipas interesit personal. Patozit, i cili vë në dyshin edhe arsimimin e Bashës në Holandë, i drejtohet kreut të demokrateve se nuk mund të njohë vetëm ato vendime gjykate që i interesojnë dhe i pëlqejnë.

Ti je duke i shtyrë ditët e tua, derisa të dalë një gjë tjetër e të harrohet fakti që i fale kundërshtarit 61 bashki pa betejë” tha Patozi duke kritikuar edhe një herë vendimet e dështuara që Basha ka marrë, që nga djegia e mandateve e deri tek mospjesëmarrja në zgjedhje.

Patozi nuk la pa përmendur edhe sulmin që Basha ka bërë ndaj Bindjes Demokratike, por sërish me dy qëndrime të tij, ku njëherë e akuzon se “mori pjesë për të legjitimuar fitoren e Ramës, ndërsa sot thotë se mori pjesë për të deligjitimuar procesin.”

“Eh, mor jurist, që nuk e tregon diplomën, megjithëse ta kanë bërë çështje prej shumë kohësh shkollimin tënd në Holandë! Qenke gëzuar për një vendim gjykate në Durrës, ndërkohë që po të kishe formimim elementar për atë, që pretendon se je arsimuar, duhet t’i njohësh të gjitha vendimet e institucioneve, jo vetëm ato që të pëlqejnë ty.

Ka një anekdotë me qershitë, për dikë që i ndante në të bëra pis ose jo. Dhe në fund i hëngri të gjitha, ngaqë i dukeshin të pastra edhe ato që kishin ngelur të fundit.

Sepse ka dhjetëra vendime të tjera gjykatash të cilat ti nuk i pranon, se nuk të interesojnë.

Por unë ta njoh hallin dhe nuk të vë shumë faj. Ti thjesht po shtyn ditët e tua, derisa të dalë një gjë tjetër e të harrohet fakti që i fale kundërshtarit 61 bashkitë pa betejë, kur u the njerëzve që zgjedhje vendore pa ty në Shqipëri nuk do të ketë.

E nise këtë punë me gënjeshtrën që Bindja Demokratike mori pjesë në procesin e 30 qershorit për të legjitimuar fitoren e Edi Ramës. Tani e paske ndërruar pllakën e gramafonit dhe po thua që ne ishim në këto zgjedhje për të deligjitimuar procesin.

Ka një shprehje të Shqipërisë së Mesme, që të shkon shumë në këtë rast: “O fol e mba, o dh.. e ha”.

Kaq për sot…Sepse unë nuk kam ndërmend të komentoj një vendim gjykate, sado i çmendur apo i porositur nga ndonjë kamikaz i dëshpëruar si ty që të më duket.” – shkruan Patozi në reagimin e tij.

Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Durrësit për të mos i dhënë mandatin kandidates së PS-së fituese në Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashës, i cili ka mbështetur këtë vendim duke thënë se zgjedhjet e 30 qershorit ishin farsë dhe se në vend ka gjyqtarë që respektojnë ligjet.



Skip to toolbar