Patozi sulmon Bashën për 13 tetorin: Ç’punë ke ti me zgjedhjet o jurist

POLITIKË


Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka sulmuar Bashën për kërkesën drejtuar KQZ-së për 13 tetorin, duke e cilësuar si “juristi që dallon se cili nga dekretet e Presidentit është i sakti”, por që nuk pranon të hyjë në asnjë palë zgjedhje. Në një reagim në rrjetet sociale, Patozi ngre edhe disa pyetje thumbuese për Bashën, i cili para 30 qershorit sulmonte KQZ-në që mos të regjistronte Bindjen Demokratike, ndërsa tani kërkon që të regjistrojë partitë e vogla të aleatëve për 13 tetorin e Metës, edhe pse vetë nuk regjistrohet.

“Eh mor jurist, sa shpejt që rrjedhin kohërat në këtë vend! Dy muaj më parë i kërkoje llogari KQZ-së se përse na regjistronte ne si parti për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Tani po i hakërrehesh të njëjtit institucion se përse nuk po i regjistron disa parti, që duan të garojnë më 13 tetor. Dekret Presidenti kishte atëherë, të tillë ka edhe tani. Nuk po i hyjmë diskutimit të nxehtë, që vetë ke thënë se i përket Gjykatës Kushtetuese, për cilësinë dhe ligjshmërinë e vendimeve të Ilir Metës. A mund të na shpjegosh se si i dallon dekretet e Presidentit në janë të mirë apo jo, se mbase na shërben edhe ne të tjerëve?. Por mbi të gjitha, na hiq një kuriozitet! Çfarë pune ke ti me zgjedhjet, në të cilat nuk ke ndërmend të marrësh pjesë?”, pyet me ironi Patozi kreun e opozitës.


Po ashtu, Patozi, me ironi i sugjeron Bashës se duke qenë se ai nuk merr pjesë në zgjedhje, meqë ka frikë nga zgjedhjet, t’i lërë partitë e vogla të ankohen vetë për KQZ-në. “Lëri të ankohen vetë ata, që të paktën formalisht kanë shprehur dëshirën të konkurrojnë më 13 tetor, sepse njohin dekretin e dytë të Presidentit. Kurse ti nuk njeh, as të parin, as të dytin, dhe një Zot e di kur mund të të dalë frika e të futesh ndonjëherë në zgjedhje. Jo për gjë, por nuk të ka caktuar njeri arbitër për asgjë në këtë vend, dhe kjo vlen sidomos për proceset elektorale, ku me zhvillimet e fundit, e meriton plotësisht titullin e palës së painteresua”, përfundon Patozi.

Ç'PUNË KE TI ME ZGJEDHJET, O JURIST?Eh mor jurist, sa shpejt që rrjedhin kohërat në këtë vend!Dy muaj më parë i…

Gepostet von Astrit Patozi am Montag, 5. August 2019



Skip to toolbar