Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate për mediat hodhi akuza të shtunën se në Durrës po abuzohet me bonusin e qirasë. Në deklaratën që Selia Blu publikoi, pretendonte se anëtarët e familjes Basha në Durrës, të cilët jetonin në një vilë tre katëshe në fshatin Radë në Manëz, e dëmtuar nga tërmeti, kanë përfituar tre bonuse qiraje.
“Për Manzën janë dhënë 7 bonuse qeraje, 3 prej të cilave janë për familjen e Kryetarit të Partisë Socialiste të fshatit Radë, Armand Basha. Ai është njëkohësisht shpërndarës i ndihmave në Manzë dhe pronar i firmës së ndërtimit “Armandi shpk.”. Siç tregon dokumenti, bonus qeraje ka përfituar edhe babai i Kryetarit të PS, Hysni Basha, edhe ky ndërtues dhe gjyshi i Kryetarit të PS, Murat Basha. Të tre këta jetojnë në një shtëpi, por paratë për qeranë e kanë marrë sikur të jetonin të ndarë për arsyen e vetme se drejtojnë Partinë Socialiste në zonën e manzës”, thuhej në deklaratën e PD.
Por, pak orë më vonë, pasi u publikua kjo deklaratë, reagoi edhe Armand Basha, kryetari i PS në këtë zonë njëherazi një nga tre përfituesit bonusit të qirasë në familjen Basha. Ai publikoi foto nga vila tre katëshe e dëmtuar nga tërmeti, ku banonte së bashku me disa familjarë të tij. Armand Basha publikon edhe foto të certifikatave familjare, që sipas tij vërtetojnë, se paçka se familjet jetonin në të njëjtën vilë, e shpallur e pabanueshme, ato janë të ndarë nga njëri-tjetri. Pra, pavarësisht se jetojnë në të njëjtën godinë, secili prej tyre kishte banesën e tij në ndërtesën e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Të nderuar miq dhe të njohur, siç jeni në dijeni, në 26 Nëntor 2019, më së shumti Qarku i Durrësit, u prek nga një tërmet i fuqishëm, me pasoja tragjike dhe viktima. Për fat të mirë, unë dhe familjaret e mi, shpëtuam shëndoshe e mirë, por praktikisht banesa ime private në fshatin Radë, Manëz (Durrës), ku unë dhe familjaret e mi jetojmë, u demtua rëndë dhe është e pabanueshme, vërtetuar kjo dhe nga akt- konstatimi i banesës, firmosur nga ekipi i specialistëve të ardhur nga Turqia”.
“Gjithsesi, papritur e papandehur, sot u gjenda i ballafaquar me sulmin zyrtar të Partisë Demokratike, për shkak të funksionit përfaqësues, që kam për Partinë Socialiste në këtë zonë, ku nëpërmjet një deklarate zyrtare të tyre, hamendësojnë se kam përfituar bonuse qeraje për vete dhe familjarët e mi, në mënyrë të pamerituar, si privilegj për faktin se jam pjesë përfaqësuese e PS-së. Mendoj se PD-ja, duhet të gjente kohë për solidaritet, jo për sulme personale që është pak të thuash, se janë tepër banale e mediokre. Më poshtë gjeni 1. Certifikatat familjare, të cilat qartazi tregojnë sa persona e familje ishim në banesë, 2. Fotot e banesës private pas dëmtimit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Armand Bashës.