PD denoncon abuzimet me bonusin e qerasë. Basha kërkon burg për përgjegjësit

AKTUALITET


Partia Demokratike akuzon bashkinë e Durrësit se po ua shpërndan bonusin e qirave militantëve të PS-së dhe jo banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ku mbetën të vdekur 25 persona e shumë të tjerë u plagosën. Përmes një deklarate zyrtare PD thotë se bonusi u jepet militantëve të PS, e ndërsa banorët e tjerë qëndrojnë në çadra.

“Bashkia e Durrësit publikoi pak ditë më parë familjet që përfitojnë bonuset e qerasë për shkak të dëmtimeve të shtëpive të tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Në media janë publikuar shpesh herë akuzat e banorëve të Durrësit dhe zonave përreth, më të goditur nga tërmeti, se qeveria po i diskriminon ata banorë që njihen si kundërshtarë politikë, duke favorizuar deri në abuzim militantët e saj. Një rast i tillë është provuar me Manzën”, thekson PD.


Ndërsa kryetari i PD-së Basha kërkon dënimin me burg të personave përgjegjës për akt ekspertimet e gabuara. Ai ka qenë në fshatin Qerret të Katundit të Ri ku është takuar me disa banorë të cilët i treguan kryetarit të PD  rastin e një akt ekspertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme. Për të shmangur marrjen e bonusit të qerasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj.  I zoti i shtëpisë shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij.

Banorët ngritën shqetësimin se nuk u është dhënë asnjë akt ekspertimi zyrtar që verifikon gjendjen e sigurisë së shtëpisë, gjë që për kreun e opozitës përbën një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm penalisht.

“Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit,”- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha.




Skip to toolbar