Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërndarë një udhëzim nëpër strukturat e PD përmes të cilit kërkon përgatitjen për zgjedhje të parakohshme. Në një udhëzim të brendshëm, të siguruar nga News24 kërkohet që në mënyre urgjente, të nisë verifikimi i listave zgjedhore, për të identifikuar aty votuesit që tradicionalisht votojnë djathtas.
Një tjetër pikë në këtë dokument është kërkesa që strukturat e PD në terren të identifikojnë nëse votuesit tradicionale te kësaj partie, janë në ato zona që janë regjistruar se banojnë, apo janë larguar jashtë Shqipërisë.
Në udhëzim u kërkohet strukturave të PD-së që të nisin kontaktet me votuesit tradicionalë të sigurt të PD-së për të garantuar vijimin e mbështetjes për partinë. Po kështu kërkohet përgatitja e regjistrave elektoralë të partisë, duke regjistruar në listën e zgjedhësve votuesit tradicionalë të sigurt të PD dhe të plotësojnë me numrin e telefonit listën vetëm për votuesit tradicional të sigurt. Kryesia e PD kërkon të identifikohen votuesit tradicionalë të sigurt të PD që nuk janë anëtar partie dhe të vendosen kontaktet me ta në mënyrë që të ftohen të angazhohen me përgjegjësinë e anëtarit në strukturat e Partisë Demokratike.
“Votuesit qe ftohen te jene pjese e strukturave te PD, duhet te marrin përgjegjësitë si anëtar partie dhe duhet te jene aktivë ne veprimtarinë politike dhe elektorale te PD. Pjese e këtij procesi do te jete edhe lidhja demokratike e gruas, e cila do te synoje qe jo me pak se 30% e anëtareve te rinj te jene vajza dhe gra”, shkruhet në udhëzimin e PD. Edhe Forumi rinor i PD, do të jete gjithashtu aktiv gjatë kësaj kohe, dhe sipas udhëzimit ka për detyre te identifikoje të rinjtë e moshës 15-25 vjeç.
Udhëzimi parashikon që periudha përgatitore të nisë nga data 1-15 tetor, dhe gjatë kësaj kohe të punohet për identifikimin e votuesve tradicionale të PD ndërsa procesi i dokumentimit të përfundojë brenda datës 31 tetor 2019.
Një tjetër urdhër ka shkuar edhe për koordinatorët e PD në qarqe, puna e të cilëve ishte parashikuar të mbaronte në shtator, por është zgjatur deri ne 31 tetor dhe secili nga koordinatoret do te jetë mbikqyrës i punës së strukturave me qytetarët.
“Ju bëjmë me dije që krahas detyrave që keni në degët ku zhvilloni aktivitetin tuaj, do të vazhdoni të jeni koordinatorë në degët e caktuara ne Urdhrin nr. 108, dt. 12.07.2019 edhe për ndjekjen e Udhëzimit nr. 141 Prot., datë 29.09.2019 të Kryetarit të Partisë “Mbi evidentimin e votuesve të Partisë Demokratike që angazhohen të marrin përgjegjësi si anëtar partie””, shkruhet në udhëzim.
Siç duket PD ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhje të parakohshme. Më herët kreu i PD-së Basha ka folur për zhvillimin e dy palë zgjedhjeve në një ditë, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale. Megjithatë për këtë kërkesë të PD-së nuk ka konsensus nga maxhoranca. Kryeministri është shprehur prerë se zgjedhjet do të jenë në vitin 2021./realstory.al