PD: Rama kërcënon BE me “Shqipërinë e Madhe”, por po dëmton gjithë rajonin

Më të fundit


Ish deputeti i PD-së, Tritan Shehu e ka cilësuar si një kërcënim ndaj Bashkimit Europian tezën e Kryeministrit Rama për krijimin e “Shqipërisë së madhe”, por realisht nga kjo po dëmtohet vetëm Shqipëria, Kosova dhe vetë stabiliteti i rajonit të Ballkanit.

Kërcënimin me tezën e “Shqipërisë së madhe” e bën vetëm për pushtetin e tij, thotë Shehu, ndërsa shton se po ta donte vërtet Kosovën nuk do ndihmonte në përçarjen e territorit të saj dhe të bëhej pengesë më shumë për liberalizimin e vizave.


“Edi Rama po i bën një dem të madh Kosovës, dialogut të saj me Serbinë dhe njohjeve ndërkombëtare me kërcënimet për Bashkimin me Shqipërinë, ose siç e quajnë jo miqtë tanë për “Shqipërinë e Madhe”. Pasi përdori krimin për pushtet tani Edi Rama po përdor Kosovën për të kërcënuar Europen vetëm e vetëm për të mbrojtur pushtetin e tij. Nëse do të donte vërtet Kosovën Edi Rama nuk do të mbështeste ndarjen e saj, nuk do tu vendoste traun kosovarëve e shqiptarëve, Shqipëria nuk do të ishte vendi i dyte pas Serbisë me tarifat më të larta për Kosovën, dhe nuk do bëhej një shkak më shumë për pengimin e liberalizimit të vizave ndaj Prishtinës, Përdorimi i Kosovës për interesa personale është kriminale. Teza e loja “nacionaliste” e gjoja bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është në dëm të perspektivës europiane të Shqipërisë, Kosovës, të Rajonit e të stabilitetit te tij. Kjo demagogji shkon ndesh me interesat tona kombëtare të bashkimit real të të gjithë shqiptarëve nesër, si vende pa kufij në BE.” – shkruan Shehu në Facebook.




Skip to toolbar