Dhuna ndaj KZAZ-ve, nëpunësit bashkiak do të dënohen

AKTUALITET


Komisioneri për Mbikëqyrjen e Nëpunësit Civil u dërgon letër Bashkive opozitare, që nxitën dhunë në KZAZ-të në njësitë që ato administrojnë. Në lëtër kërkohet  evidentimi i nëpunësve bashkiak, që janë përfshirë në aktet e dhunës dhe kanë dëmtuar materialet zgjedhore.

Komisioneri cilëson se ka informacion se disa punonjës të qeverisjes vendore janë përfshirë në grumbullime të paligjshme ku është ushtruar dhunë dhe dëmtuara materialet zgjedhore, në kundërshtim me ligjin, që përcakton qartë neutralitetin e tyre në çështjet me karakter politik. “Disa punonjësve të njësive të qeverisjes vendore, në veprime që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, si pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme pranë vendeve ku janë kryer veprime të dhunshme, ndaj zyrave të KZAZ-ve, duke i dëmtuar ato apo duke shpërdoruar materialet zgjedhore që ruhen në ambientet e tyre. Nisur nga këto rrethana, sjellim edhe njëherë në vëmendjen tuaj rekomandimet që ka dhënë Komisioneri në fillim të fushatës zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit nr.152/2013,“Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, e në veçanti me respektimin/kufizimin e të drejtave me karakter politik të nëpunësit civil, gjatë procesit zgjedhor (neni 37 i ligjit),të cilat garantojnë parimet e përgjithshme të shërbimit civil, të tilla si: neutraliteti, paanshmëria dhe integriteti i tyre gjatë kryerjes së detyrës.”- thuhet në shkresën drejtuar bashkive.

Komisioneri tha se çdo rast dhe person i evidentuar do të përballet me procedimin disiplinor siç e përcakton ligji.

Lexoni shkresën e plotë

“Në kuadër të mbikëqyrjes së ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil gjatë procesit zgjedhor, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka ndjekur në vijimësi zhvillimet në lidhje me emërimet e reja, largimet/lirimet nga shërbimi civil dhe sjelljen e nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore, si nëpërmjet raportimit të grupeve të monitorimit të ngritura pranë institucioneve që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, ashtu dhe nga ngjarjet e reflektuara në media apo nga informacione të ndryshme të ardhura pranë Komisionerit.

Në mbledhjen e fundit të Task Forcës, ku Komisioneri merr pjesë si i ftuar, nga anëtarët e këtij grupi janë ngritur shqetësime për përfshirjen e disa punonjësve të njësive të qeverisjes vendore, në veprime që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, si pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme pranë vendeve ku janë kryer veprime të dhunshme, ndaj zyrave të KZAZ-ve, duke i dëmtuar ato apo duke shpërdoruar materialet zgjedhore që ruhen në ambientet e tyre.

Nisur nga këto rrethana, sjellim edhe njëherë në vëmendjen tuaj rekomandimet që ka dhënë Komisioneri në fillim të fushatës zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit nr.152/2013,“Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, e në veçanti me respektimin/kufizimin e të drejtave me karakter politik të nëpunësit civil, gjatë procesit zgjedhor (neni 37 i ligjit),të cilat garantojnë parimet e përgjithshme të shërbimit civil, të tilla si: neutraliteti, paanshmëria dhe integriteti i tyre gjatë kryerjes së detyrës.

Qëllimi i kësaj dispozite, e cila rregullon në mënyrë të hollësishme sjelljen e nëpunësve civilë gjatë periudhës zgjedhore, është të disiplinojë nëpunësit civilë që të ushtrojnë vetëkontroll për sa i përket manifestimit në publik të pikëpamjeve politike dhe besnikërisë në një forcë politike në jetën private, çka do të thotë që, ata nuk mund të manifestojnë me pankarta në duar, apo të jenë protagonistë në foltoret e subjekteve politike që zhvillojnë fushatën zgjedhore.

Mosrespektimi i dispozitës së mësipërme konsiderohet shkelje e disiplinës në punë dhe në kuptim e zbatim të ligjit, ndaj rasteve të tilla duhet të mbahet qëndrim sipas parashikimeve të ligjit për procedimin disiplinor.

Komisioneri kërkon nga grupet e monitorimit që të ndjekin situatën në kohë reale dhe të verifikojnë nëse personat e përfshirë në veprime të dhunshme janë nëpunës civil; nëse konstatohen të tillë, të fillojnë menjëherë procedurat disipilinore sipas parashikimeve të ligjit.        

Në kuadër të bashkëpunimit për realizimin e procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për nëpunësin civil, gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në bazë të pikës 3, të nenit 14, të ligjit nr.152/2013, brenda datës 24.06.2019, të dërgohet pranë Komisionerit  informacion në lidhje me sa më sipër. Për çdo veprim që do të ndërmerret nga grupet e monitorimit, Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Komisionet Disiplinore, si dhe nga çdo subjekt i ngarkuar nga ligji për administrimin e shërbimit civil të dërgohet në vijimësi informacion pranë Komisionerit.

Veç kësaj, Komisioneri kërkon nga Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore pranë institucioneve të rikujtojnë edhe njëherë çdo nëpunës civil për të drejtat dhe kufizimet që i njeh ligji gjatë fushatës zgjedhore,si dhe të kujdesen që të mos lejojnë shkelje të ligjit nga ana e tyre.

Duke vlerësuar ecurinë e mirë të këtij procesi, të cilin po e realizojmë së bashku, Komisioneri është gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar institucionin tuaj dhe ju inkurajon që të informoni në kohë reale për çdo shkelje të ligjit që ju konstatoni gjatë kësaj periudhe zgjedhore”.



Skip to toolbar