LIVE/ ZGJEDHJET VENDORE. Lajmet më të fundit, gjithçka që ndodh në mbarë vendin

AKTUALITET


Në përditësim…

23.23/ Nis procesi i numrit të votave në disa KZAZ


Me mbërritjen e të gjitha kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore në disa KZAZ të vendit ka nisur procesi i numërimit të votave. Bashkia e parë që nisi procesin e numërimit ishte Pusteci, ku mësohet se janë hapur 3 kutitë e para. Pjesëmarrja në votime në këtë Bashki ka qenë tepër e lartë, 55.44%, krahasuar me bashkitë e tjera.

Në Lushnje ka nisur procesi i votimit në KZAZ-në nr. 55. Në këtë qendër numri të votave janë 5 grupe dhe pritet të numërojnë 65 kuti gjithsej.

Edhe në KZAZ të tjera ka nisur procesi i votimit si Has, Belsh, Ersekë, Elbasan, Tepelenë dhe Memaliaj

20:30/ Protesta në Tropojë, por s`pengohet dorëzimi i kutive të votimit

Pas përfundimit të procesit të votimit, dhe nisjes së dorëzimit të kutive pranë KZAZ-ve, ku do të bëhet numërimi i votave, në Tropojë, disa militantë të PD-së, kanë protestuar para kësaj KZAZ-je. Protestuesit kanë përdorur shprehjen “Rama Ik”, ndërkohë që protesta e tyre ka qenë paqësore dhe nuk ka penguar dorëzimin e kutive votimit pranë KZAZ-së.

Qendrat e Votimit u mbyllën në orën 19:00, ndërsa menjëherë pas tyre ka nisur dhe grumbullimi pranë qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë. Edhe në qytete të tjera ka pasur protesta sporadike, por që nuk kanë penguar procesin e dorëzimit të kutive të votimit pranë qendrave të vendnumërimit.

Ndonëse ende nuk ka dalë numri zyrtar i personave që kanë  votuar, njoftimet praprake tregojnë se votuesit që kanë shprehur vullnetin e tyre  këtë të diel, kanë qenë rreth 760 mijë.

20.20/ “Bye Bye Edi”, Kryemadhi: 85 % e shqiptarëve refuzuan votimet moniste

Rreth një orë pas mbylljes së orarit zyrtar, ka ardhur edhe reagimi i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Ajo i cilësoi këto votime si fitore të demokracisë, pasi 85 % e shqiptarëve refuzuan të shkonin në votimet moniste të Ramës.

“85% e shqiptarëve refuzuan sot votimet moniste të Edi Ramës. Refuzuan premtimet boshe. Refuzuan Ramën. Kjo e sotmja është një fitore për demokracinë shqiptare! Pjesëmarrja ekstremisht e ulët është një fitore për popullin shqiptar e demokracinë në Shqipëri si dhe një goditje kundër diktaturës së Ramës. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve  P.S: Sado që ti mbushësh kutitë, shqiptarët të refuzuan. Bye bye Edi” – shkruan Kryemadhi

20:10/ Ivi Kaso: Votuan vetëm 15% e shqiptarëve, Rama po manipulon votat

Sekretari për Çështjet Zgjedhore i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se sipas shifrave të PD-së, pjesëmarrja në votime ka qenë 15% e personave me të drejtë vote. Sipas Ivi Kaso, komisionerët po bëjnë mbushje fiktive të listave të votuesve me emrat e emigrantëve.

“Pjesëmarrja totale në rang vendi është 15%. Po bëhet mbushja fiktive e listave të votuesve me emrat e emigrantëve. Paniku i Ramës nga braktisja dhe refuzimi popullor e ka shtyrë drejt manipulimit të numrit të votuesve. As mbushja e kutive që po ndodh tani, as manipulimi nuk e shpëtojnë Ramën. Shqiptarët e kanë refuzuar”.

20.07/ Rezultatet e pjesëmarrjes në votime për të burgosurit, Kukësi voton 100%

Drejtoria e Burgjeve raporton se gjatë votimeve në ambientet e vuajtjes së dënimit nuk është shënuar asnjë incident dhe votimi ka vijuar normal dhe i qetë. Sipas raporti të Drejtorisë së Burgjeve totali personave të dënuar me heqje liri që kanë votuar në zgjedhjet lokale 2019 ka qenë 799 ose 37%. Të dënuarit me të drejt vote në të gjithë vendin ishin 2154 persona. Të përjashtuar nga ligji 138/2015 për të ushtruar të drejtën e votës së tyre ishin 2201persona.  Ajo që vihet re është se në qytetin e Kukësi të dënuarit kanë votuar 100 %, ndërsa një pjesëmarrje të lartë ka pasur edhe në Rrogozhinë me 92 %, Lushnje me 95 %, Saranda me 93 % etj. Ja lista e plotë e pjesëmarrjes në votime në burgje në rang vendi.

Jordan Misja 34%

Mine Peza 61%

Ali Demi 79%

Kukës 100%

Tropoje 42%

Elbasan 29%

Berat 42%

Shkodër 39%

Burrel 34%

Lezhe 17%

Fushe Kruje 66%

Korçe 15%

Vlore 22%

Durrës 61%

Rrogozhine 92%

Lushnje 95%

Fier 39%

Tepelene 40%

Sarande 93%

Peqini nuk ka të regjistruar

20.02/ Transporti i fletëve të votimit drejt KZAZ pa incidente

Pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur transportimi i kutive të votimit drejt KZAZ përkatëse ku pritet të fillojë procesi i numërimit.

Këto janë zgjedhjet e para në këto 30 vite që janë zhvilluar pa praninë e opozitës më të madhe në vend PD-së dhe LSI-se dhe aleatëve të saj.

Transportimi i kutive të votimit ka nisur në të gjithë qytetet e vendit Në Elbasan, Tiranë, Gjirokastër Fier, Kavajë, Burrel, Bulqizë, Tepelene, Kukës, Lezhë drejt KZAZ përkatëse.

Informacionet e deri tanishme bëjnë me dije se gjatë transportit të kutive të votimit në të gjithë vendin nuk është shënuar asnjë incident. Gjithashtu dhe gjatë ditës përveç disa moment tensioni në Skrapar, Klos, Durrës dhe Korçë nuk është shënuar asnjë situatë problematike.

19:45/ Vangjel Tavo: Në Gjirokastër kanë votuar 15.6%, ja skema jonë për rezultatet e sakta!

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka folur në një lidhje direkte për “Real Story”, ku ka treguar për gazetarin Sokol Balla, se sipas tij, në qarkun e Gjirokastrës, në mungesë të shifrave për Tepelenën, mendohet që kanë votuar rreth 15.6% e votuesve. “Kanë votuar rreth 15.6% në rang qarku. Në rang qarku jemi diku te 29.5% më pak në krahasim me zgjedhjet lokale të 2015”, u shpreh Vangjel Tavo.

Sipas ish-deputetit të LSI-së, shifrat e opozitës janë nxjerrë pasi në çdo qendër votimi ka pasur persona të caktuar, të cilët kanë mbajtur shënim emrat e votuesve me lista emërore. Në këtë mënyrë, opozita, sipas Vangjel Tavos, pretendon se ka shifrat reale të votuesve të cilët kanë marrë pjesë këtë 30 qershor në zgjedhje.  

“Ne jemi jashtë sistemit, të tjerët votojnë, duke qenë se nuk kemi anëtar në komisionet e qendrave të votimit, morëm masat si opozitë, në çdo qendër votimi kemi vendosur  njerëz me lista emërore të njerëzve që votonin. Këto janë listat e bëra nga anëtarët e LSI në të gjithë qendrat e qarkut, përvec Tepelenës të cilët nuk janë lejuar. Në Goranxi personi që unë kisha vendosur është zbuar dhe dhunuar. Është dhunuar nga komisionerët e PS dhe policia nuk ka reaguar”.

Në fund, Vangjel Tavo u shpreh se nëse shifrat zyrtare që do të japë KQZ do të krenspodojnë me ato të opozitës, procesi do të quhet i rregullt, në të kundërt, Tavo shprehet se ka pasur manipulim.

“Unë them që këto janë rezultatet që duhet të jenë në proces verbalet e qendrave të votimit. Këto janë të cekuara. Kemi dhe pamje filmike të njerëzve që kanë shkuar për të votuar. Ky është rezultati real i njerëzve që kanë shkuar të votojnë. Në rast se nuk del i njëjti rezultat ka manipulim dhe jam gati të ballafaqohem. Nëse KQZ konfirmon shifrat tona, unë nuk them asnjë gjë. Përvec se komisionerët kanë punuar mirë. Nëse del kështu, do të thotë që Partia e Punës së Shqipërisë fitojë”, tha Tavo.

19:10/ Përfundon orari zyrtar i votimit, Klement Zguri: Nuk do të ketë shtyrje pas këtij orari

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka dalë një prononcim për mediat, ku ka deklaruar se nuk do të ketë një shtyrje zyrtare për procesin e votimit. Zguri e bëri deklaratën e tij, pasi në Sarandë kanë kërkuar një shtyrje prej 30 minutash të procesit të votimit. Por Klement Zguri është shprehur i prerë, se nuk ka pasur kërkesë zyrtare për këtë shtyrje, duke deklaruar se praktikisht kutitë e votimit duhet të jenë mbyllur në të gjithë vendin pas orës 19:00.

“Në një qytet të caktuar persona politikë kanë bërë thirrje për të shtyrë orarin e votimit. Është në kundërshtim me ligjin. Duhet të citoj Kodin Zgjedhor,  orari shtyhet vetëm nëse ka rradhë të gjata. Orari është i përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Përtej kësaj gjithçka është e paligjshme. Nuk kam informacion ende për përqindjen. Marrë shkasë nga deklarata mediatike, se votimi fillon në orën 7 dhe mbyllet në orën 7. Përtej kësaj është shkelje të ligjit. Nuk ka asnjë kërkesë të tillë, nuk ka mbledhje të KQZ për një gjë të tillë”, tha Zguri.

19.00/ Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit. KQZ pritet të publikojë të dhënat për pjesëmarrjen

Ka përfunduar zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të mbajtura këtë të diel në vendin tonë. Mbi 3.5 milionë shqiptarë me të drejtë vote, kishin mundësinë për të zgjedhur drejtuesit e rinj të pushtetit vendor, të cilët do të qeverisin 61 bashkitë në vendin tonë.

Me një pjesëmarrje të ulët, ku sipas pritshmërive 22-25%, votimet u zhvilluan në 30 bashki pa kandidat alternativ.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e tyre i kanë bojkotuar zgjedhjet, duke kërkuar largimin e kryeministrit pas publikimit të përgjimeve për blerjen e votave në Durrës dhe në Dibër. Në të gjithë vendin, janë hapur 5417 qendra votimi, ndërkohë që sipas të dhënave, vetëm në një qendër votimi në Shkodër nuk është votuar .

Tashmë pritet të KQZ-ja të japë të dhënat zyrtare për pjesëmarrjen në votime, ndërsa për fituesit nuk priten surpriza. Procesi i votimit ka nisur në orën 7 të mëngjesit të sotëm dhe ka vijuar përgjithësisht i qetë. Në komunikimin e fundit të KQZ për shifrat paraprake u deklarua se deri në orën 15:00 kishin votuar 15.5% të zgjedhësve. Në disa bashki ka pasur votime të kënaqshme, ndërsa në disa të tjera, niveli ka qenë i ulët, siç raportohet paraprakisht edhe nga Durrësi. Tirana, pothuajse ka kapur të njëjtin nivel të vitit 2017 me numrin e votuese, edhe pse dihet se në zgjedhjet vendore përqindja e pjesëmarrjes është më e ulët.

Raportimet e para për mbylljen e votimeve janë bërë nga Gjirokastra, Lezha, Shkodra, Kukësi, Vora, dhe Saranda

Ky proces ka shënuar disa incidente të vogla, ndryshe nga sa pritej nga gjendja e krijuar gjatë fushatës elektorale, ku opozita kishte paralajmëruar se do të bllokonte procesin zgjedhor, por këto qëndrime erdhën duke u përshkallëzuar derisa të shtunën në mbrëmje, kreu i PD, Lulzim Basha bëri thirrje që të tërhiqeshin militantët e PD.

18:30/ Pesë orë nuk shkon njeri për të votuar, mbyllet para kohe një Qendër Votimi në Kavajë

Qendra e Votimit 2160 e KZAZ Nr. 42 Kavajë, është byllur gati 30 minuta para orarit zyrtar të parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Komisionerët e kësaj qendre kanë vendosur me konsensus që të mbyllin para kohe qendrën, pasi sipas tyre, prej 5 orësh nuk ka votuar asnjë person.

“Pritëm 5 orë, asnjë votues nuk erdhi. Atëherë çfarë do të bëja unë? Nuk ka njeri tjetër, janë të gjithë në Itali”, është shprehur një anëtar i kësaj Qendre Votimi.

Qendra e votimit i përket fshatit Synej në Kavajë. Megjithatë, pas këtij vendimi, KZAZ-ja e Kavajës nuk pranuar kutinë e votimit të fshatit Synej, e cila ka mbrritur në ambientet ku do të bëhet numërimi para orarit zyrtar. Në këtë qendër votimi kanë votuar gjithsej 57 votues, nga 100 të regjistruar.

Ky është i vetmi rast në të gjithë vendin, të paktën nga sa raportohet, që një Qendër Votimi të mbyllet para orarit zyrtar. Në fakt, Kodi Zgjedhor parashikon si kohë të mbajtjes së procesit të votimit, si nisje orën 07:00 të mëngjesit dhe kohë  mbylljes ora 19:00.

18.18/Anëtari i KQZ, Skënderi: Pritshmëritë për pjesëmarrjen në zgjedhje 22-25 %

Pritshmëritë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime në rang vendi mund të jetë 22-25 %. Në një lidhje direkte me gazetarin Sokol Balla anëtari i KQZ, Bledar Skënderi tha se pritshmëritë e tij për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje mund të jetë 22-25 %. Deri  në orën 15:00 pjesëmarrja në shkallë vendi ishte 15.5 %. Sipas Skënderit kjo përqindje mund të jetë pak e ulët, por ka ende ka kohë për të votuar.

I pyet nga gazetari Sokol Balla: A është normale kjo pjesëmarrje apo e konfirmoni këtë pjesëmarrje të lartë që na konfirmohet nga burimet si Tiranë që shkon në 142 mijë, Divjaka kapërcen pjesëmarrjen në  2017?

“Nuk ka asnjë anomali, parashikimi im është rreth 24-25 % dhe me një logjik shumë të thjeshtë se në zgjedhjet e fundit PS ka marrë mbi 48 % të votave, kështu që minimalisht 24 % të jetë të bastionit të saj.” – tha Skënderi

Ndërsa në lidhje me shtyrjen e orarit të votimit, një pyetje paksa me sarkazëm i gazetarit Balla, Skënderi tha se “Ka një handikap të madh në Shqipëri, se kur merren vesh dy forcat politike të bësh një veprim është normal dhe i ligjshëm dhe nuk merren vesh dy forcat politike atëherë të bësh një veprim është i paligjshëm. Besoj se sot në orën 19:00 do të mbyllen qendrat e votimit, nuk besoj se do ketë shtyrje të orarit.”

Për sa i përket nisjes së numrit të votave ajo mund të nis pak para mesnate.

18.01/ Pjesëmarrja në votime sipas PS, Tirana drejt arritjes së 2017, Divjaka dhe Berati e tejkalojnë

Pjesëmarrja në votime ka qenë beteja e ditës së zgjedhjeve, e cila ka shënuar vetëm disa incidente të papërfillshme, ndërsa rezulton se deri në orën 17:00, nga shifrat paraprake ka pasur një pjesëmarrje të kënaqshme në Tiranë, ndërsa Divjaka ka tejkaluar pjesëmarrjen e vitit 2017.

Sipas të dhënave nga Partia Socialiste, rezulton se deri në këtë orë, në Tiranë kanë marrë pjesë në votime 136 mijë e 732 zgjedhës. Kjo shifër është komentuar nga Arbjan Manziku, i ftuar në emisionin maratonë të Real Story në Vizion Plus, ku sipas tij, krahasuar me vitin 2017, kjo shifër është në nivelet e pritshme të PS, e cila në vitin 2017 ka marrë 164 mijë vota.

Po ashtu, në Divjakë, ku i dërguar për fushatën ka qenë zëvendëskryeministri Erjon Braçe, rezulton se pjesëmarrja ka tejkaluar vitin 2017. Edhe në Berat, sipas ministrit Blendi Klosi është arritur numri i votave të 2017-s.

18:00/ Kërcënon Xhelal Mziu: Nuk e lëshoj karrigen në Kamëz

Kamza ka qenë një nga bashkitë më të rëndësishme të drejtuara nga Partia Demokratike dekadën e fundit. Kryebashkiaku i kësaj bashkie Xhelal Mziu, pas një periudhe të gjatë të drejtimit të këtij bastionit të djathtë, tashmë do të largohet. Por, gjatë kësaj të diele, Mziu ka “kërcënuar” duke u shprehur se nuk “e liroj karrigen”, pasi sipas tij zgjedhjet janë farsë.

“Na kthejnë në kohët më të errëta të komunizmit. Rezultati nuk do çertifikohet, Rama mori goditjen e merituar nga qytetarët. Qytetarët tashmë e dine se e keqja e vendit është qeveria, Rama vulosi fundin e tij”.

“Nuk do e liroj karrigen e bashkisë për një pseudo kandidat qe nuk merr as 7 përqind te votave, zgjedhjet legjitime janë më 13 tetor. Jam i gatshëm të përballem në garë reale, postin e kryebashkikut e lë vetëm me votë të lirë”, është shprehur Mziu.

Xhelal Mziu bëhet kryebashkiaku i parë i djathtë në detyrë që kërcënon se nuk do të lirojë karrigen e bashkisë së Kamzës, pas zgjedhjeve të kësaj të diele. Sipas tij, postin e bashkiakut do e lirojë vetëm kur të ketë votë të lirë. Në fakt, nuk dihet nëse PD dhe drejtuesit e zgjedhur prej saj, që tashmë do të duhet të largohen nga postet që mbajnë, do të kenë një plan tjetër për të penguar ardhjen e detyrë të bashkiakëve të rinj që dalin pas zgjedhjeve të kësaj të diele.

17.48/ Klosi: Objektivi u arrit, zgjedhjet u bënë më 30 qershor

Për ministrin e Turizmit Blendi Klosi, dy objektivat kryesorë të PS në këto zgjedhje janë realizuar, pasi zgjedhjet u bënë më 30 qershor dhe janë me standarde. “Objektivat kanë qenë dy, realizimi i zgjedhjeve me standarde dhe bërja e tyre më 30 qershor. Objektivat e tjera po i ndiqni, janë transparente. Sapo kthehem nga Berati ku pothuajse është arritur numri i votave të 2017, kjo është arritja kryesore. Pjesëmarrja është e konsiderueshme, detyra jonë ka qenë zgjedhje të ndershme e transparente. Qytetarët mbështesin forca të ndryshme politike. Ka qenë zgjedhje e PD të mos jetë në garë, kur ti gjeni pyetini pse nuk morët pjesë na garë. Gjithçka është transparente në syrin e kamerave, asnjë s’ka kërkuar manipulimin e shifrave. Për ne objektivi është realizuar, bërja e zgjedhjeve më 30 qershor. Ashtu si e keni dëgjuar me mijëra herë zgjedhjet u realizuan më 30 qershor”, u shpreh Klosi për mediat pasi hodhi votën në qendrën e votimit.

17.39/ PD, ende e paqartë për planin pas 30 qershorit

Duket se demokratët vazhdojnë të jenë të paqartë për hapat që do të ndërmarrin pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa Rama është shprehur i gatshëm për të nisur dialogun me Bashën, nga ana e PD ende nuk ka një zë që ta pohojë një gjë të tillë.

Kjo u vu re në intervistën që Gazmend Oketa dha të dielën në studion e Sokol Ballës në Vizion plus.

Gazmend Oketa në kohën e qeverisë Berisha ka mbajtur postin e zv.kryeministrit. U largua nga PD dhe themeloi partinë FRD me Bamir Topin. Por së fundi është rikthyer sërish në gjirin e PD-së.

Gazetari Balla e pyeti disa herë Oketën, se pas zgjedhjeve të 30 qershorit çfarë do të bëjë PD, a do të jetë ajo e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve me kryeministrin Rama?

 “Ju keni 6 muaj që thoni Rama ik, por ai nesër do jetë sërish kryeministër? 6 muaj vepruat në një taktikë që nuk prodhoi rezultat. Sot jemi në një vend ku kemi një opozitë që nuk njeh maxhorancës. Kemi një maxhorancë që nuk njeh presidentin. Rama ka thënë jam gati të ulem të flas me Bashën që të hënën. A jeni gati të uleni të flisni?, pyet Balla.

Por Gazmend Oketa iu shmang pyetjes në përgjigjen e tij, ndërsa hodhi akuza drejt Ramës pa zbuluar se cili do të jetë hapi i radhës i PD-së pas zgjedhjeve të së dielës.

 “Ne kemi një kryeministër që nuk njeh askënd në këtë vend, as president, as gjykatë, as prokurori, as opozitë. Ka një grup me 5 vetë që i ka vënë emrin Rilindje dhe me ata qeveris. Këtu është një individ që ka marrë peng gjithçka. Nesër ai me të vetën mendon se mori 61 bashki. Ndërkohë kemi dy dekrete të presidentit që i ndan gjykata kushtetuese nëse qëndrojnë ose jo. Nuk po them që ka të drejtë presidenti. Unë jam për të respektuar institucionet. Përsa kohë që kemi një institucion të presidentit të cilit Kushtetuta i jep të drejtë të dekretojë datën e zgjedhjeve, mendoj ta respektojmë. Jam i prirur pavarësisht pozicionit politik, nuk po marr pozicionin që të them është ashtu siç thotë presidenti. Por them hajde shkojmë në gjykatë kushtetuese ta vendosë gjykata.  Ne i qëndrojmë, në datë 30 nuk ka zgjedhje”, tha Oketa.

I dehuri me dru në dorë shqetëson votuesit në Cërrik

Një i dehur është përpjekur të krijojë incidente në qendrën e votimit 25311 në Bashkinë Cërrik. Ai ka tentuar të hyjë disa herë në ambientet ku zhvilloheshin votimet.

Ai është nxjerrë jashtë nga forcat e sigurisë. Edhe kryetarja e komisionit të qendrës së votimit është shprehur se votimi ka qenë i qetë dhe përveç këtij rasti i cili është neutralizuar në kohë, nuk ka pasur asnjë incident tjetër.

“Erdhi me dru në dorë dhe e nxorëm jashtë. Votimi po ecën shumë mirë, qetësi absolute”, u shprehën komisionarët e qendrës së votimit.

16.43/ PD: KQZ gënjen për pjesëmarrjen, Rama po braktiset nga qytetarët

Pak minuta pas raportit nga KQZ në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime në të gjithë vendin, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Përmes sekretarit për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, PD tha se KQZ gënjeu duke rritur pjesëmarrjen në votime. Në një deklaratë për mediat, KQZ deklaroi se deri në orën 15:00 kanë votuar 15.5 % e qytetarëve. Sipas PD kjo shifër është shumë më e vogël, vetëm 10 % e qytetarëve me të drejtë vote i janë drejtuar qendrave të votimit.

Ivi Kaso tha se KQZ është duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët duke rritur numrin e personave në votim.

“Operacioni më i madh që po kryen Edi Rama gjatë gjithë ditës së sotme është falsifikimi i pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në krye të këtij operacioni manipulimi, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit, ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi deri në orën 11:00 ka qenë 6 % dhe jo 12 % siç raportuan kamikazët e KQZ. Pjesëmarrja faktike deri në orën 3 pasdite është 10 %.” – thotë Kaso për mediat.

Kaso tha se kryeministri Rama është në panik sepse qytetarët po e braktisin atë në votime. “Megjithëse vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron dhe vetë shpall rezultatin, paniku i Edi Ramës duket qartë. Asgjë dhe askush nuk mund ta fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij.”- përfundon deklarata e PD.

16.19/ Voton Dritan Leli, thirrje qytetarëve: Ushtroni të drejtën e votës

Kutive të votimit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli,  i cili kandidon për një mandat të dytë. Leli ishte i shoqëruar me të birin, i cili votonte për herë të parë. Pas hedhjes së votës, kryebashkiaku i Vlorës ka bërë thirrje për qytetarët që të dalin të votojnë dhe të ushtrojnë të lirë të drejtën e tyre.

Votova në qendrën time elektorale bashkë me djalin tim që është votues për herë të parë për të shprehur vullnetin. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë, të ushtrojnë votën e lirë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.” -tha Leli

 Ndërsa i biri tha se kjo ishte vota e tij e parë dhe një moment mjaft emocionues për të.

16.14/ Garon i vetëm për bashkinë e Shkodrës, Pjetri: Zgjedhjet më të qeta

Kandidati i PS për Shkodrën Valdrin Pjetri, në një dalje për mediat u shpreh se këto zgjedhje janë më të qeta në 28 vitet e shkuara. Pjetri, i cili garon i vetëm për këtë bashki, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen e dhe u bëri thirrje të që në orët e mbetura të votojnë edhe pjesa e mbetura.

“Dua ta filloj me një falënderim për çdo banor të bashkisë Shkodër, për çdo pjesëmarrës në këto votime të datës 30 qershor për qytetarinë e treguar, për pjesëmarrjen e treguar deri në këto momente. Mund ta them me plot gojën dhe me shumë krenari që janë zgjedhjet më të qeta të zhvilluara në Shkodër këtu e 28 vite të shkuara dhe kjo meriton me të vërtetë falënderim për çdo banor pjesëmarrës të bashkisë Shkodër deri në këto momente. Unë kam vetëm një thirrje, në këto orë të mbetura deri në orën 19:00 kur mbyllet zyrtarisht procesi, të rrisim pjesëmarrjen në kutitë e votimit pastaj unë kam vetëm falënderime dhe na keni bërë të ndihemi shumë krenarë në sytë e gjithë Shqipërisë”, tha Pjetri.

16: 12/ Deri në orën 15:00, KQZ: Kanë votuar 15.5% e votuesve

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha në një deklaratë për mediat bëri të ditur se deri në orën 15:00 rezulton se kanë marrë pjesë në votime 15.5% e votuesve në të gjithë vendin.

Numri i votuesve deri në orën 15.00:

Malësi e Madhe 4600

Shkodër 8700

Pukë 2700

Fushë Arrëz 19959

Tropojë 24000

Has 2888

Kukës 6900

Lezhë 9400

Mirditë 4300

Kurbin 5014

Mat 6810

Klos 3020

Bulqizë 5000

Dibër 8083

Vorë 3550

Kamëz 7412

Tiranë 117 108

Kavajë 5100

Rrogozhinë 4100

Belsh 5208

Elbasan 27466

Gramsh 7446

Librazhd 8501

Lushnjë 21 746

Fier 30440

Patos 6906

Mallakastër 5573

Kuçovë 7200

Berat 11300

Skrapar 2976

Pogradec 11265

Korçë 13500

Kolonjë 3950

Këlcyrë 2900

Vlorë 23899

Himarë 3160

Delvinë 1869

Sarandë 6280

Finiq 3315

Konispol 2852

Në total 546 388, shifra 15.5%

Më herët gjatë ditës zëdhënësja e KQZ-së njoftoi se kishin marrë pjesë në votime 12 % e votuesve, ndërsa rezultati aktual tregon se ka një rritje shumë të vogël të pjesëmarrjes. Mendohet se është orari i drekës ndaj dhe shkalla e pjesëmarrjes është e ulët. Pritet që në orët në vijim të ketë një rritje.

16.00/ Tentuan të prishin procesin zgjedhor në Korçë, shoqërohet një ish-polic

Dy persona në fshatin Brac të Korçës janë shoqëruar në polici pasi kanë tentuar të pengojnë procesin zgjedhor. Mësohet se në polici janë shoqëruar Ismail Çibuku, 68 vjeç, dhe Resul Ravolli, 55 vjeç, ish-punonjës policie.

Ndërkohë, një incident ka ndodhur në një nga qendrat e votimit në Skrapar, por nuk ka pasur lidhje me procesin zgjedhor. Nga policia lokale raportohet se ka pasur dhe të lënduar. Konkretisht në qendrën 3554, i dëmtuar ka mbetur Astrit Nurellari, i LSI, i cili ndodhet në spital. Ndërsa mësohet se konflikti ka ndodhur mes Nurellarit dhe doktorit të spitalit, Astrit Dyrmishi. Konflikti mes tyre ka nisur para qendrës së votimit, por ka përfunduar brenda saj.

Foto nga konflikti në Skrapar

15:34/  Voton rivali i Veliajt, Arben Skënderi: Njerëzit duhet ta përdorin votën

Rivali i Veliajt për bashkinë e Tiranës, kandidati i Bindjes Demokratike, Arben Skënderi ka hedhur votën në kutinë e votimit dhe ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Tiranës të marrin pjesë në zgjedhje dhe sido që të jetë të përdorin instrumentin e votës.

Ai bëri të ditur se deri tani procesi zgjedhor ka qenë i lirë dhe i qetë.

“Kam informacione që çdo gjë shkon shumë qetë. Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje votuesve që ta përdorin instrumentin e votës pa ndikime. Është e rëndësishme që vota sido që të jetë do të ishte mirë që njerëzit ta kenë këtë instrument ta përdorin. Njerëzit duhet të vijnë të votojnë”, theksoi Skënderi

“Është shumë e rëndësishme që vota sido që të jetë në çfarëdo lloj situate, votë mbështetëse apo nganjëherë votë ndëshkuese do të ishte mirë që njerëzit të thonë ta kem këtë instrument ta përdorim. Njerëzit duhet të vijnë të votojnë”, – tha Skënderi për mediat.

Arben Skënderi ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë e Tiranës në kohën kur ajo drejtohej nga Lulzim Basha. Por kur PD vendosi të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit, Skënderi ashtu si shumë demokratë të tjerë, iu bashkuan Bindjes Demokratike e cila merr pjesë në zgjedhje me kandidatët e saj në mbi 30 bashki të vendit.

15.30/ Ish-presidentët Moisiu e Topi: Votuam, jemi kundër bojktotit. Voton edhe Fatos Nano

Ish kryeministri dhe ish kryetari i PS-së, Fatos Nano i distancuar nga politika është shfaqur të dielën teksa ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij. Siç duket edhe në fotot që disponon realstory.al, Fatos Nano ka votuar në qendrën e votimit që ndodhet në Shkollën 9-vjeçare “Sami Kalasa” në zonën e Mulletit në Tiranë. Pra ish kryeministri i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për këtë arsye nuk është treguar indiferent por i është drejtuar qendrës së votimit.

Votën e tij në kuti e ka hedhur të dielën edhe ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Pasi votoi Moisiu u bëri thirrje palëve politike të reflektojnë ndërsa e quajti të gabuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet dhe për të bojkotuar zgjedhjet.  “Unë mendoj se këto zgjedhjet kanë një defekt për mospjesëmarrje të opozitës tradicionale se opozita tjetër ka edhe në zgjedhje edhe në kuvend. Për mua kjo ka qenë një fatkeqësi, nuk duhej të ndodhte, As nuk duheshin djegur mandatet dhe as nuk duheshin bojkotuar zgjedhjet. Ne çdo dy vjet kemi zgjedhjet. Isha dakord për 30 qershorin sepse moszbatimi i kësaj date do krijonte një precedent. Unë uroj që kjo situatë të zgjidhjet sa më parë.Tashmë palët politike kanë një përgjegjësi shumë të madhe. Kam bindjen se më në fund,politikanët shqiptarë duhet të ecin përpara. Në 2007 unë nuk kisha të drejtë të vlerësoja dekretin e mëparshëm pa më dhënë këtë të drejtë Kodi Zgjedhor dhe vetëm pasi m’u dha kjo e drejtë nxora dekretin tjetër”, tha ish presidenti, Moisiu.

Edhe ish-presidenti i Republikës Bamir Topi ka zgjedhur të votojë të dielën edhe pse vjen nga një e kaluar politike tek demokratët të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje.  Kreu i Frymës Demokratike tha se voton pasi është kundër bojkotit dhe se ka kryer detyrën e tij si qytetar. Ish-presidenti tha se mospjesëmarrja imponon zgjedhje të sforcuara. “Sot është një ditë votimesh, të gjithë ata që kanë marrë pjesë kanë ushtruar të drejtën e tyre. Ka qenë një mesazh i fortë i partenerëve tanë jashtë vendit nga SHBA-të të ciltë duhen kuptuar qartë që politika amerikane është poltiikë e institucioneve, jo e emocioneve. Këtë lloj instabiliteti që ka politika shqiptare nuk e ka populli, populli shqioptar ka nevojë të orientohet, skema politike shqiptare ka nevojë të riformatohet, njerëzit duhet të fitojnë besimin. Jam në vijim të bindjeve të mia të thella kundër bojkotit, parime të cilat i ka dhe subjekti ynë politik i cili merr pjesë në zgjedhje por edhe në vijim edhe një politike anti-bojkot që e kanë shprehur së fundmi dhe partnerët tonë kryesorë. Erdha për të bërë detyrën time qytetare dhe politike.

15.27/ Militantët dogjën materialet, PD e Vaut të Dejës ankohet: Fletët e votimit erdhën me vonesë

Pas sulmeve të kryera në KZAZ-në nr.6 në Bushat të Vaut të Dejës, ku u dogjën materialet e votimit nga militantët e opozitës, ka ardhur edhe një reagim nga ana e Partisë Demokratike të Vaut të Dejës, që ankohet se fletët e votimit nuk kanë ardhur në të njëjtën kohë me materialet e tjera zgjedhore. Sipas tyre, në fillim kanë ardhur materialet e tjera dhe më pas kanë mbërritur fletët e votimit nga Sllovenia, veprim i cili bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

“Materialet Zgjedhore dhe fletët e votimit nuk kanë ardhur në të njëjtën kohë. Fillimisht kanë ardhur materialet zgjedhore dhe në ora 2:10 të mëngjesit kanë ardhur fletët e votimit. Fletët e votimit kanë ardhur privatisht nga Sllovenia ne Podgoricë. Nga Podgorica janë transportuar me mjete ushtarake dhe kanë kaluar në Doganën e Hanit të Hotit dhe nga aty kanë ardhur në KZAZ. Fletët e votimit nuk kanë shkuar të magazinohen në KQZ sipas Kodit Zgjedhor dhe nga KQZ të shkojnë në KZAZ. Ky është një skandal flagrant zgjedhor dhe është lehtësisht i verifikueshëm”, deklaroi dega e PD në Vaun e Dejës.

Sipas tyre, fletët e votimit nuk kanë shkuar të magazinohen në KQZ por kanë ardhur me vonesë. Kujtojmë se për incidentit e ndodhur në Bushat, erdhën reagime të forta nga politika. Kryeministri Rama me anë të një shkrese firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila. Për sulmin e rëndë ndaj KZAZ-së numër 6, policia ka shoqëruar 9 persona. Për sa i përket Kodi Penal i dënon krimet zgjedhore nga 1 deri në 5 vite burg.

14.44/ “Do ta mbush kryet me plumba”, Spahia nxjerr videon: PS kërcënoi kreun e FRPD

Ish deputeti i opozitës, Bardh Spahia, i cili është në arrest shtëpie për shkak të sulmeve ndaj KZAZ-së në Shkodër ka postuar një video, ku vihen re disa persona, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku sipas Spahisë është kërcënuar kreu i FRPD Shkodër.

“Kriminelët e armatosur të PS, me rekorde kriminale kërcënojnë Kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike Shkodër, Arvit Bushati. Në video nuk kuptohet se kush janë personat që konfliktohen, por dëgjohen vetëm zërat e personave që ndërhyjnë për shuar konfliktin dhe një person që thotë “ai me mbush kryet me plumba?”, për të cilin Bardhi pretendon se është Arvit Bushati.

Gazetarët e realstory.al pyetën pranë policisë Shkodër, për të mësuar më shumë se kush janë këta persona në këtë video denoncuese nga PD dhe çfarë motivi ka pasur ky konflikt, por u deklarua se nuk ka pasur ndonjë denoncim për kanosje nga Arvit Bushati.

14: 27/Zguri distancohet nga shifrat e KQZ: Janë të pabesueshme

Klement Zguri për të disatën herë gjatë këtij procesi zgjedhor mohon njoftimet e Komisionit Qëndror Zgjedhor, institucion të cilin ai e drejton.

Pasi zëdhënësja e KQZ-së, njoftoi se deri pak para mesditës pjesëmarrja në votime është 12%, kreu i KQZ, Zguri tha për mediat se shirat për pjesëmarrjen në votime të bëra publike nga KQZ nuk janë zyrtare dhe nuk janë të besueshme.

Sipas Zgurit këto shifra kanë ardhur përmes komunikimeve telefonike me KZAZ (kjo gjë ka ndodhur edhe në proceset e kaluara zgjedhore).

“Nuk është shifër zyrtare e konfirmuar nga KQZ.  Kjo shifër ka ardhur përmes komunikimeve telefonike me KZAZ dhe KZAZ i kanë marrë këto përmes komunikimeve me sekretaret e qendrave të votimit. Këto shifra minimalisht janë të pa besueshme pa u konfirmuar nga KQZ.  Nuk janë zyrtare, janë paraprake sepse vijnë përmes komunikimit telefonik”, tha Zguri.

Në shumë votime të KQZ, Zguri nuk ka marrë pjesë, ose ka votuar kundër. Ai gjithashtu ka braktisur mbledhjen e KQZ kur u diskutua dekreti i Metës që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit (i cilësuar nul).

13.45/ Arrestohet 66-vjeçari, tentoi të thyejë kutinë e votimit në Kamëz

Një 66-vjeçar është arrestuar nga policia në Kamëz, pasi ka grisur fletën e votimit dhe më pas ka tentuar të marrë vulat e komisionit dhe të thyejë kutinë e votimit.

Policia tha se i arrestuari është Astrit Çuçka, i cili akuzohet për “Dëmtim me dashje të materialit zgjedhor”. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, pranë qendrës së votimit nr. 1567 në Kamëz. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur kapjen, shoqërimin dhe arrestimin e shtetasit të mësipërm.

Materialet në ngarkim të shtetasit të sipërpërmendur do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”

12.55/ Pas akuzave të PD, mjekët e spitalit të Kukësit përshëndesin me foto: Jemi në punë

Zyrtarët lokalë të PD-së hodhën akuza se për shkak të zgjedhjeve Spitali rajonal i Kukësit nuk ofron shërbim mjekësor.

Por menjëherë pas kësaj akuze kanë reaguar mjekët e këtij spitali të cilët kanë pozuar në një foto nga ambientet e spitalit duke bërë të ditur se janë në krye të detyrës.

Edhe drejtori i Spitalit Ismet Nika ka deklaruar se shërbimi jo vetëm që është i plotë, por është i përforcuar me mjekë dhe infermierë, si ditë zgjedhjesh.

12.24/ Protesta e PD, Glover anulon vizitën te “Vasil Shanto”

Kryesuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover ka anuluar vizitën pranë qendrës së votimit në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë. Kjo është konfirmuar zyrtarisht nga misioni i OSBE/ODIHR, ndërkohë që një ekip i tyre është instaluar pranë kësaj qendre votimi.

“Fokusi i Misionit të OSBE/ODIHR-it është vëzhgimi i procesit të votimit në të gjithë vendin. Situata në shkollën ‘Vasil Shanto’ nuk ishte i favorshëm për vëzhgim, kështu që Drejtuesja e Misionit nuk mundi të ndalet atje. Përfaqësuesit e medias do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth përfundimeve paraprake të misionit të ODIHR-it në konferencën për shtyp që do të mbahet nesër”, deklaroi misioni i OSBE/ODIHR.

Ndërkohë, një tjetër protestë e organizuar nga militantët e opozitës është shënuar në qendrën e votimit të vendosur në shkollën Vasil Shanto. Protestuesit kanë vendosur një kuti kartoni duke ironizuar kutinë e votimit dhe më pas e kanë mbushur me fletushka.

12.08/ Voton ish-ministri Tahiri, ironi me dekretin e Metës: Deri më 13 tetor, ka kohë

Ish-ministri i Brendshëm Saimri Tahiri ka votuar për zgjedhjet vendore. Tahiri është shprehur se mbase kjo nuk është situatë ideale, por ai ka votuar duke ushtruar të drejtën e tij kushtetuese dhe theksoi se shpreson që kryebashkiakët e rinj të punojnë për qytetarët.

“Mbase ajo nuk është opozita që duam. Unë kam ardhur për të votuar, është një e drejtë e imja kushtetuese dhe e çdo qytetari. Do të thosha që kjo mos të kishte ndodhur. Debati të është për taksa më pak dhe qeverisje më të mirë. Shpresoj që kryetarët e bashkive që do të zgjidhen me mandat 4 vjeçar të punojnë për qytetarët”, deklaroi Tahiri. I pyetur për dekretin e Metës për votime më 13 tetor, Tahiri tha se ka kohë deri atëherë. “Unë bëra zgjedhjen time te kutia. I bie të tregoj votën. Uroj që të shkojë gjithçka mirë, edhe pa probleme nuk ma do mendja që njerëzit meritojnë të shohin në televizor këto tmerre. Këto janë zgjedhje si t’i administrojmë më mirë qytetarët”, tha ai.

12:00/ Miell për vota në Fier?! PD inskenon video fake

Partia Demokratike ka shpërndarë për gazetarët një video, ku shihet një furgon i veshur me logo të Partisë Socialiste. Furgoni, sipas PD-së është në qytetin e Fierit. Në video, shihet gjithashtu se dera e pasme e bagazhit të këtij mjeti mban dy thasë, të cilët në fakt nuk mund të kuptohet se çfarë kanë në brendësi. Megjithatë, PD thotë se thasët janë me miell dhe pretendon që u shprëndahen qytetarëve. Deri këtu supozohet se është e vërtetë. Por i gjithë pretendimi rrëzohet!

E para, video është filmuar me celular dhe dikush e komenton atë, teksa tre persona me instrumente muzikore bëjnë “aheng”, çka e komprometon vërtetësinë e videos. Në fakt, video është FAKE. Furgnoi është  inskenim i shitur  si “lajm” për blerjen e votës nëpërmjet thasëve me miell. Këtë e konfirmon vetë PD në tekstin shoqërues të materialit filmik, ku shprehet: “Furgoni me logon “Bashkia që duam” shpërndan miell në Fier ditën e votimit. Qytetarët tallen dhe vënë në lojë zgjedhjet me saze”.

Pra me pak fjalë, një inskenim i rëndomtë, për të krijuar situatë gazmore, sepse nëse do të ishte e vërtetë, sigurisht, PD nuk do të shkruante vetëm një fjali për një “fakt” të tillë, por do të kishte shkuar në Polici, ndoshta shoqëruar me një deklratë nga Selia Blu, ashtu sikundër bëri Edi Paloka, për një video ku pretendonte se një vajzë ishte duke u “blerë” nga përfaqësues të PS për të votuar  në Tiranë. 

E gjitha kjo, vjen në një moment kur Partia Demokratike, ka hequr dorë nga dhuna, por është shprehur se do të ‘dokumentojë me video e prova’ gjithë procesin zgjedhor, që më pas t`ua japë ndërkombëtarëve. Duket që pjesë e këtij plani janë dhe të tilla inskenime, duke krijuar skena të tilla, që më pas të  shiten si manipulime të procesit zgjedhor.

11.48/ PD proteston para Qendrës së Votimit, OSBE/ODIHR te “Vasil Shanto”

Për shkak se para Qendrës së Votimit te shkolla “Vasil Shanto” në Tiranë militantë të PD-së janë duke zhvilluar protestë, aty kanë mbërritur tre përfaqësues nga OSBE/ODHIR, për të parë situatën.

Në këtë qendër votimi, është parashikuar që do të shkojë edhe kryesuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Audry Glover.

Ndërkohë, një tjetër protestë e organizuar nga militantët e opozitës është shënuar në qendrën e votimit të vendosur në shkollën  Vasil Shanto.  Protestuesit kanë vendosur një kuti kartoni duke ironizuar kutinë e votimit dhe më pas e kanë mbushur me fletushka.

11.42/ Voton dhe senatori italian: Vota s’duhet të jetë kurrë problem

Këtë të diel, qendrave të votimit në Tiranë i janë drejtuar edhe të huajt, të cilët kanë marrë shtetësi shqiptare. Një prej tyre është edhe senatori Italian Luciano D’Alfonso, i cili nga viti 2003-2009 ka qenë kryebashkiak i Pescara dhe ka shërbyer si President i rajonit të Abruzzos në Itali. Në një prononcim për mediat, Luciano D’Alfonso theksoi se i është drejtuar kutisë së votimit pasi vota është një fitore e madhe prej së cilës nuk duhet hequr dorë.

Ai nënvizoi se vota nuk mund të jetë kurrë problem, ndërsa theksoi se të votosh do të thotë edhe të vlerësosh, të njohësh rrugën e madhe që po bën një qytet si Tirana, që gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një qytet referues në të gjithë botën.

 “Të votosh nuk mund të jetë kurrë një problem, sidomos për zgjedhjet vendore. Të votosh do të thotë edhe të vlerësosh, të njohësh rrugën e madhe që po bën një qytet si Tirana që gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një qytet referues në të gjithë botën. Tirana po kthehet kësisoj në një kryeqytet botëror, pra jo vetëm i Shqipërisë. Kështu që, të votosh do të thotë të shprehësh vlerësimin tënd. Unë vij nga një shtet i madh siç është Italia, edhe kur ka probleme politike nuk mund të heqësh dorë nga vota. Vota është një fitore e madhe”, tha D’Alfonso.

Ai iu drejtua me një mesazh edhe të huajve të tjerë me të drejtë vote në Shqipëri. “Që duhet mbështetur kjo rrugë e madhe drejt Europës që vë përballë si demokracinë kombëtare të Shqipërisë, ashtu edhe demokracinë lokale të qyteteve si Tirana”.

11:35/ Zyrtare, Në katër orët e para të procesit, votojnë 12% e zgjedhësve

Deri në orën 11:00 të së dielës, pjesëmarrja  në votime në të gjithë vendin, sipas KQZ-së, ka qenë 12%. Ky është informacioni zyrtar që jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmmjet zëdhënses për shtyp, Drilona Hoxhaj.

“Deri tani pjesëmarrja në votime është: 12%. Kjo është një e dhënë paraprake, e cila ndryshon në bazuar në informacionin që Qendrat e Votimit kanë përcjellë në qendrën  e të dhënave në KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i’u bën apel të gjithë qytetarëve që tu drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi zgjidhjet në demokraci mund dhe duhet të dalin vetëm nga vota”.

Ndërkohë, zëdhënsja e KQZ-së u shpreh se në shtatë qendra në Postribë të Shkodrës votimi ende nuk ka filluar, ndërsa në një qendër janë djegur materialet zgjedhore, ndërsa në 53 Qendrat e Votimit në Vaun e Dejës procesi vijon normalisht.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon opinion publik se janë  hapur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të qarkut Shkodër. Nga këto, 6 qendra votimi nuk ka filluar ende, ndërsa për 1 qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore. Vlen të theksohet se,  53 qendrat e votimit e KZAZ-së nr. 6 Vau i Dejës pavarësisht vonesave të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, për arsye tashmë të njohura publikisht, janë hapur dhe procesi i votimit ka filluar normalisht”.

11:28/ Protestat, demokratët veshin uniformën e komunistëve

Militantët e PD-së në mbarë vendin kanë organizuar protesta në forma nga më të ndryshmet në këto zgjedhje. Një protestë e veçantë është ajo e militantëve të PD-së në shkollën Vasil Shanto në Tiranë, të veshur me uniformën e ushtarëve komunistë.

Madje ata kanë ngritur grushtin lart duke përshëndetur si në kohën e komunizmit, kur kanë kaluar vëzhguesit e zgjedhjeve të OSBE/ODHIR-it.

Gjithashtu në duar kanë mbajtur fletushka ironizuese ku shkruheshin punët e bëra nga ‘partia’.

Siç duket PD vazhdon të ironizojë faktorin ndërkombëtarë të cilët njëzëri kanë deklaruar se njohin zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht vendimit të PD-së dhe LSI-së për t’i bojkotuar.

11. 01/ BLLOKIMI I QENDRAVE TË VOTIMIT, NDJEKJE PENALE VOLTANA ADEMIT

Janë dashur dy javë, që nga dita që në Shkodër nisën sulmet e KZAZ-ve deri  këtë të diel në pengimin e procesit zgjedhor, që Policia e Shtetit të nis hetimin ndaj kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Kjo e fundit  është zyrtarisht nën hetim, pasi akuzohet për veprën penale të “Pengimit të zgjedhësit”, pasi ka urdhëruar me shkrim punonjësit që ka nën varësi, të mbyllin disa Qendra Votimi.

“Procedohet Kryetarja Bashkisë Shkodër Voltana Ademi për veprën penale të “Pengimi i zgjedhësit”, pasi duke ushtruar funksionin dhe autoritetin e saj si kryetare e Bashkisë Shkodër, ka urdhëruar me shkrim  punonjësit e kësaj bashkie të mbyllin disa Qendra e Votimi (shkolla), të cilat administrohen në pronësi të Bashkisë Shkodër, konkretisht 53 Qendrat e Votimit. Materialet u referuan hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor , Shkoder   per vepren penale te “Pengimi i zgjedhësit” parashikuar nga neni 330/1/2 i Kodit Penal”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Voltana Ademi ka qenë kryebashkiakja më e “zjarrtë” opozitare që ka urdhëruar me shkrim bllokimin e Qendrave të Votimit, por që më herët nisën djegien e materialeve zgjedhore në KZAZ-në Nr. 2 në shkollën “Shenaze Juka” në Shkodër, dhe që kulmoi me anti-mitingun ndaj takimit elektoral që Kryeministri Edi Rama zhvilloi disa ditë më parë në Shkodër. Tashmë Voltana do të të duhet të tregojë “voltazhin” para Prokurorëve.

11:00/Majko: Më 1 korrik palët të ulen dhe të bisedojnë

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko votoi para pak çastesh në qendrën e tij të votimit në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Pasi ushtroi të drejtën e tij të votës, ai vlerësoi procesin e qetë të votimit, ndërsa theksoi faktin se deri më tani ka një pjesëmarrje të madhe votuesish. Ai gjithashtu tha se duke nisur nga data 1 korrik palët politike të ulen dhe të bisedojnë për të gjetura një mënyrë tjetër veprimi përballë njëri-tjetrit.

“Shpresoj që pas kësaj date, duke nisur nga 1 korriku të gjithë të ulemi e të shikojmë një mënyrë tjetër për të vepruar përballë njëri tjetrit. Procesi më duket i qetë dhe normal”, tha Majko, nisur nga fakti se PD ka bojkotuar zgjedhjet, gjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri.

“Është një ditë e qetë, normale. Gjërat janë në pikëpamje të pjesëmarrjes të plota”, tha Majko.

I pyetur  lidhur me zgjedhjet e para viteve 90 Majko u përgjigj: “Ata që kundërshtonin zgjedhjet para 1990 futeshin në burg”.

Ndërsa sot të gjithë janë të lirë të vendosin vetë nëse duan ose jo të marrin pjesë në zgjedhje.

10:36/ TERRORIZON VOTUESIT ME KALLASH DHE THYEN KUTINË E VOTIMIT, ARRESTOHET NË FLAGRANCË DHUNUESI

Policia e Durrësit ka reaguar në mënyrë të shpejtë, duke neutralizuar një 53-vjeçar, që ka hyrë me armë kallashnikov në Qendrën e Votimit të fshatit Katund Sukth. Shtetasi Ramiz Bakanaçi ka hyrë në QV nr. 1521, duke kërcënuar komisionerët, ai ka marrë kutinë e votimit duket e nxjerrë jashtë ambienteve të Qendrës së Votimit, duke hedhur materialet zgjedhore.

Forcat e policisë janë lajmëruar në mënyrë të menjëhershme, duke shkuar në vendin e ngjarjes. Aty është bërë ndalimi i personit, të cilit në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar një armë automatik model 56, me të cilën personi ka kërcënuar komisionerët e zgjedhjeve.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.

10:27/Patozi hedh votën: Më mirë zgjedhje problematike, se sa pa zgjedhje

Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka hedhur votën e tij këtë të dielë në qendrën e votimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, ku theksoi se Shqipëria më mirë të ketë një palë zgjedhje problematike se sa të mos i zhvillonte ato.

“Kemi pare zgjedhje, ku kanë marrë pjesë edhe të gjitha partitë, por pas këtyre zgjedhjeve pas 1 korrikut një frymë e re politike do ta presë vendin. Sot është një ditë normale votimi që Shqipëria nuk duhet ta kapërceje edhe ta lërë pas. Nuk është vendi që të bëjmë analiza politike, por mendoj më mirë që të kishim zgjedhje problematike sesa mos të bëheshin zgjedhjet”, tha Patozi për gazetarët pas votimit.

Astrit Patozi në siglën e partisë Bindja Demokratike është rivali i PS-së në këto zgjedhje duke kandiduar në 30 bashki të vendit me kandidatët e saj. Në Tiranë në  siglën e kësaj partie kandidon Arben Skënderi.

10:20/ Voltana “Schwarzenegger” reziston, detyron KQZ të ndryshojë gjashtë qendra votimi

Voltana Ademi vijon të bëj rezistencë. Kryebashkiakja e Shkodrës dhe strukturat e bashkisë së drejtuar prej saj nuk kanë lejuar hapjen e disa godinave publike, ku ishte parashikuar të vendoseshin qendrat e votimit. Për këtë arsye, me një mbledhje  paraditen e së dielës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të ndryshojë vendodhjen e gjashtë qendrave të votimit në Qarkun Shkodër. Gjithashtu edhe në Berat janë ndryshuar vendodhjet e dy qendrave të votimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin: “Për dhënie autorizimi për ndryshimin e vendndodhjeve të disa QV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi dhënien e autorizimin për ndryshimin e vendndodhjeve të 6 qendrave të votimit në Qarkun Shkodër dhe 2 qendrave të votimit në Qarkun Berat”, thuhet në një njoftim të KQZ.

Gjatë paradites të së dielës ka pasur disa probleme në Qarkun e Shkodrës, pasi disa qendra janë hapur me vonesë për shkak të pengesave të krijuara nga pushteti lokal. Ndërkohë, në Shkodër  dhe në Mat, në dy qendra votimi ka pasur dhe incidente më të rënda. Dy qendra votimi janë djegur me molotov, duke bërë që KQZ-ja të marrë vendimin për zëvendësimin e materialeve zgjedhore të këtyre qendrave.

10.05/ Manastirliu: Votoni për të ardhmen e Shqipërisë europiane

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu votoi në mëngjes në shkollën “Jeronim de Rada”, në Njësinë Administrate nr. 9 në Tiranë. “Ftoj çdo qytetar të ushtrojë të drejtën demokratike të votës për të zgjedhur për të ardhmen e qyteteve të tyre, për të zgjedhur kryetarët që do t’i qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Votoni për të ardhmen e Shqipërisë europiane”, tha Manastirliu pas votimit. Procesi i votimit në Njësinë Administrative nr. 9 në Tiranë po vijon normalisht në 71 pikat e votimit të kësaj njësie.

09.14/ Shpërthim në një qendër votimi në Burrel, digjen materialet zgjedhore

Një shpërthim me lëndë djegëse ka ndodhur në orët e para të së dielës në shkollën 9-vjeçare në Bushkash, në Njësinë administrative Ulëz.

Nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të lënduar, por KQZ pranon se materialet zgjedhore në këtë qendër votimi janë djegur, pasi ndodheshin në pjesën ku ka rënë zjarri.

Gjithsesi, KQZ theksoi se kjo nuk përbën problem për ecurinë e procesit, pasi po merren të gjitha masat për zëvendësimin e materialeve zgjedhore në këtë qendër votimi. Në orët e vona të së shtunës është djegur edhe një qendër votimi në fshatin Prekal .

09.05/ PD e Fierit: Policia ka shoqëruar dy vëzhguesit tanë

Partia Demokratike pretendon se janë shoqëruar në polici dy persona për shkak se ishin duke numëruar njerëzit që futeshin në Qendrat e Votimit për të votuar.

Bëhet fjalë për shtetasit Klevis Berzheta dhe Fredi Davidi nga Topoja e Fierit, janë shoqëruar.

Berzheta dhe Davidi ishin dërguar në këtë Qendër Votimi si vëzhgues nga Partia Demokratike për të monitoruar procesin zgjedhor.

8:45/Veliaj hedh votën dhe “bën fushatë” për kundërshtarin: Skënderi është çun Tirone

Kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ka votuar i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që të marrin pjesë në zgjedhje për të përcaktuar të ardhmen e qytetit dhe të lënë pas mëritë politike. I gjendur disi i vetëm në këtë fushatë zgjedhore (për shkak të mungesës së PD-së) Veliaj nuk ka harruar të përmendë rivalin e tij, Arben Skënderin, i cili garon përballë tij nën siglën e partisë Bindja Demokratike.

“Jam shumë i emocionuar sot teksa vendosim si do vazhdojë qyteti. I bëj thirrje qytetarëve të dalin të votojnë. Këto zgjedhje janë për qytetin tonë, për çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Ndaj politizimi për zgjedhjet nuk është për të larë hesapet që dikush ka me të kaluarën pasi kjo nuk ka sens, por ka të bëjë me të ardhmen e qytetit.  Ndaj dhe dua të falenderoj garuesin tjetër. Arben Skënderi është një çun Tirone, pavarësisht bindjeve të ndryshme që ne kemi, një gjë na bashkon se kemi vendosur që fëmijët tanë, t’i rrisim këtu. Këtë qytet e kemi shtëpinë tonë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë në këto zgjedhje”, tha Veliaj i cili më pas bëri thirrje që qytetarët të gjejnë një moment për të hedhur votën pasi ajo përcakton të ardhmen.

Erion Veliaj në këto zgjedhje ka pasur përballë kandidatin e Bindjes Demokratike, Arben Skënderi i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë  Tiranës në kohën kur ajo drejtohej nga Basha. Por kur PD vendosi të mos futet në zgjedhjet vendore, Skënderi si shumë demokratë të tjerë iu bashkua Bindjes Demokratike, të Astrit Patozit.

08.45/ Tensione në Shkodër, digjet qendra e votimit

Dita ka nisur me tensione në qytetin e Shkodrës, pasi raportohet se disa qendra votimi nuk janë hapur ende.

Ndërsa në orët e vona të së shtunës një qendër votimi në fshatin Prekal është djegur.

Ende nuk ka asnjë informacion nga policia për materialet zgjedhore që janë dëmtuar në këtë fshat.

Edhe në qytetin e Pogradecit, disa qendra votimi nuk kanë nisur ende procesin pasi nuk janë paraqitur  në qendrat e votimit anëtarët e komisionit.

8:30/Komisionerët e pavarur “dezertojnë”, bllokohet procesi i votimit në 20 qendra në Pogradec

Komisionerët e pavarur që i përkasin shoqërisë civile në qytetin e Pogradecit nuk janë paraqitur pranë Qendrave të Votimit duke bllokuar procesin e votimit në të paktën 20 qendra në këtë qytet.

Por KZAZ e Pogradecit njofton se komisionerët që mungojnë do të zëvendësohen nga komisionerë të tjerë, të miratuar nga KQZ.

Pra procesi i votimit pritet të nisë së shpejti në këto qendra votimit në Pogradec.

Dy ditë më herët në bashkinë e Pogradecit ka pasur incidente. Militantët e PD-së kanë sulmuar KZAZ-të dhe kanë tentuar të djegin materialet zgjedhore.   

08:20/ Zgjedhjet vendore në Shqipëri, mbështetësit e PD marshim paqësor në Tiranë

Ndërkohë që kanë nisur zgjedhjet vendore për zgjedhjet 61 kryebashkiakëtg, një grup mbështetësit nga Partia Demokratike kanë nisur marshimin e tyre.

Informacionet bëjnë me dije se në Tiranë, ka nisur marshimi pranë Shkollës Kushtrimi i Lirisë apo edhe pranë Liceut Artistik në kryeqytet, ku qytetarë kanë shpërthyer në thirrje “Rama ik”.

Ata thonë se në këtë mënyrë kanë zgjedhur të protestojnë kundër kësaj që po ndodh, që sipas tyre vetëm ditë zgjedhjesh nuk është, pasi votohet si në komunizëm.

Informacionet bëjnë me dije se simpatizantët e PD-së janë shprehur se marshimin e tyre do ta vijojnë në çdo KZAZ.

08:17/ Elbasan, policia dorëzon 551 qendra votimi te komisionet

Policia e Elbasanit ka deklaruar zyrtarisht se në qarkun Elbasan janë dorëzuar 551 QV te komisionet pas asnjë inicdent. Policia është dislokuar në vendet e dislokimit të përcaktuara.

07:59/ Edhe në Shkodër qendrat e votimit hapen pa incidente…Në 2 fshatra ende nuk kanë mbërritur materialet

Edhe Shkodra, një nga qarqet më problematike, ku kryebashkiakja Voltana Ademi ka bllokuar disa qendra votimi të organizuara në ambiente në administrim të Bashkisë, këtë të diel ka nisur qetësisht procesin e votimit në zgjedhjet e 30 qershorit. Në qytet janë hapur qendrat e votimit dhe kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar.

Ndërkohë, disa qendra votimi janë zhvendosur në ambiente të tjera, siç është rasti i Teatrit Migjeni dhe bibliotekës që nuk u liruan nga kryebashkiakja Ademi. Në këto kushte, votimet po bëhen në “Radio Shkodra” ku materialet zgjedhore kanë mbërritur prej mbrëmjes së djeshme pa shënuar incidente. Në Shkodër votimet kryhen për Valdrin Pjetrin, kandidat për kryebashkiak nga Partia Socialiste. Vetëm në Shllak dhe Temal në bashkinë Vau i Dejës nuk ka nisur procesi. Materialet zgjedhore janë rrugës për tu çuar në 6 Qendrat e Votimit.

07.58/ Gramoz Ruçi: S’ka burrë nëne të vendosë diktaturën në Shqipëri. Të hënën nisim analizën

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka hedhur votën mëngjesin e së dielës në KZAZ-në nr. 32 te Liceu Artistik në Tiranë dhe tha se jo vetëm votoi por edhe zgjodhi pasi në fletën e votimit janë 2 kandidatë dhe mbi 30 parti.

“Siç e patë. Unë jo vetëm, që votova, por edhe zgjodha. Zgjodha se ishin dy kandidatë në fletën e votimit. Besoj se subjekte politike ka plot alternativa dhe kandidatë ka dy. Do ishte më mirë që të kishte shumë kandidatë. Sot nuk është dita ta analizojmë këtë çështje sepse ka qenë objekt i diskutimit prej shumë ditës”, tha Ruçi.

Ai bari apel për qetësi, maturi dhe vendosmëri, ndërsa tha se të hënën të gjitha partitë duhet të nisin një analizë të brendshme për përgjegjësitë e tyre.

 “Sot është dita të bëjmë apel për qetësi dhe vendosmëri. Pjesëmarrja kush të dëshirojë të marrë pjesë. Duhet respektuar edhe ai që voton dhe ai që s’voton. Me vendosmëri që të vazhdojmë reformat në mënyrë që në tetor të hapen negociatat. Klasa politike shqiptare që ditën e hënë si ata që vendosën me verdiktin e tyre që të mos marrin pjesë në zgjedhje të fillojnë të bëjnë analizën e tyre. Si fituesit që nuk duhet ta quajnë vetën triumfator, por të bëjnë analizën e tyre për përgjegjësinë që kanë para popullit”, tha Ruçi i cili i pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria rrezikon të instalojë sërish diktaturën tha: “Nuk ka burrë nëne të vendosë diktaturën në Shqipëri”.

07:15/ Kukësi çel pa probleme qendrat e votimit

Në Kukës, thuajse të gjitha qendrat e votimit të KZAZ-së numër 11 janë hapur pa shënuar incidente. Agron Hoxha, nënkryetari i KZAZ-së, në një prononcim për mediat për fillimin e procesit zgjedhor, tha se nuk ka pasur probleme që nga dje kur janë shpërndarë bazat materiale, e deri më tani me hapjen e qendrave të votimit. Edhe në Has është hapur pjesa më e madhe e qendrave. Deri tani nuk është konstatuar asnjë problem. Në Kukës, qytetarët do të zgjedhin mes Abedin Oruçit dhe Safet Gjicit të kandiduar nga Partia Socialiste.

07:12/ Gjirokastër

Në Gjirokastër ka nisur procesi i votimit. Në 4 qendrat e votimit të vendosura në shkollën e mesmes “Siri Shapllo” kanë mbërritur në orën 07:00 votuesit e parë, duke çelur kështu procesin e votimit për vendoret 2019. Për Bashkinë e Gjirokastrës, është vetëm një kandidat i PS-së, Flamur Golemi.

07:10/ Në Vaun e Dejës, vetëm një qendër votimi e pahapur

Bashkia e Vaut të Dejës ka pasur ndoshta përplasjet më të mëdha për mos lejimin e zgjedhjeve më 30 qershor, por kjo e diel i gjen thuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura.

Përjashtim ka bërë vetëm qendra e votimit numër 162 në Vaun e Dejës, në fshatin Stajkë, ku materiali zgjedhor nuk është futur ende.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka firmosur edhe shkarkimin e kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, për djegien e KZAZ-së, e një ditë më parë ky i fundit u shoqërua në polici për t’u marrë në pyetje.




Skip to toolbar