Partia Demokratike ka reaguar të enjten përmes ish deputetit Enkelejd Aliebaj, i cili iu referuar përgjimeve të publikuara nga Bild, teksa akuzoi Ramën se vazhdon të mbrojë Dakon dhe çdo kriminel.
Alibeaj tha se Rama nuk e jep dorëheqjen sepse mbron kirminelët e votave.
“Pas skandalit të publikuar nga gazeta gjermane Bild, ku del në dritë mekanizmi i blerjes së votave nëpërmjet krimit dhe se drejtuesi real i fushatës për Partinë Socialiste është një trafikant ndërkombëtar droge, me të drejtë, të gjithë presin dorëheqjen e Edi Ramës.
Por, kur bëhet fjalë për pushtetin dhe mbajtjen e tij në çdo formë e me çdo mjet, Edi Rama, është krejt i parashikueshëm dhe nuk zhgënjen asnjëherë.
Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave”, tha Alibeaj. Ai shtoi se me publikimin e këtyre përgjimeve Rama është bërë një kryeministër i besueshëm në sytë e të gjithëve.
“Me apo pa dorëheqje, Edi Ramën nuk e beson më askush. Edhe ata që besonin sadopak tek kryeministri mafioz, sot janë të qartë së gjithçka ka ndodhur me bekimin e tij.
Nëse do të ishte e kundërta, Edi Rama do të kishte dhënë dorëheqjen me dhjetëra herë”, u shpreh Alibeaj, i cili gjithashtu sulmoi prokurorinë duke thënë se është vendosur nën kontrollin e Ramës.
“Pas përgjimeve të Bild, që faktojnë blerjen e pushtetit përmes krimit, është e qartë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën kontrollin e plotë të tij. Një prokurori e pavaruar, do të kishte zbatuar ligjin, do t’i kishte vënë para drejtësisë pushtetarët e lidhur me krimin dhe të përfshirë në afera të rënda korruptive.
Edi Rama i mbron kriminelët e tij brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin”, tha Alibeja i cili u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e opozitës më 8 qershor.