Përgjimet, Edi Rama: Kam neveri, janë mbajtur në sirtar për shantazh politik

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në emisionin “Real Story” në Vizion Plus të gazetarit Sokol Balla në lidhje me publikimin e gjashtë përgjimeve të dosjes “Nr.339”. Rama e nisi fjalën e tij duke e quajtur urdhër absurd atë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të ndaluar publikimin në media të këtyre përgjimeve.

“Së pari dua të them diçka që më duket e rëndësishme, se s`më është dhënë mundësia ta them më parë. Është një urdhër absurd ai i prokurorisë për të ndaluar mediat për të publikuar këtë. Mediat për atë punë janë të nxjerrin çdo gjë, nuk ka asnjë kufizim për këtë. Mediat janë lajmsi që në këtë rast nuk ka asnjë faj”, tha fillimisht Rama.


Më tej, ai ka folur për audiopërgjimet, duke u shprehur se ndien neveri për përgjimet, pasi, sipas tij, ato janë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta. Megjithatë, Rama tha se Vangjush Dako tashmë nuk është më kandidat për bashkinë e Durrësit, ndaj është i lirë të përgjigjet për të vërtetën.

Çështja ka disa aspekte, së pari e kam thënë, unë kam nerveri nga përgjimet dhe përdorimi i përgjimeve. Janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta. Thënë kjo ka një aspekt moral, jemi në kushtet kur kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat i bashkisë, por është një njeri i lirë, që duhet të përgjigjet deri në fund lidhur me të vërtetën. Përgjimet nuk janë prova, por indicie që duhet hetuar”, tha Kryeministri Edi Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e gjithë këtij procesi, pasi sipas tij, prokurorët kanë përgjegjësi të ruajnë sekretin hetimor dhe të hetojnë. “Shikoj që ka një shëmti kur dëgjon biseda të caktuara, por se sa këto janë muhabete të materializuara në fakte, apo se sa këto janë muhabete njerëzisht që kontrollojnë planetin në telefon. Thënë kjo ka një aspekt ligjor, këtu kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e gjithë këtij procesi. Është përgjegjësi e prokurorëve të hetojnë, të ruajnë sekretin hetimor dhe të përputhim gjithçka. Zanafilla është te Policia e Shtetit, që ka filluar në ndjekjen e një bërthame”, u shpreh Rama.

Në fund, Edi Rama tha se e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veç se për shantazh politik. Kryeministri u shpreh se përgjimet janë mbajtur në sirtar vetëm për shantazh politik. “Për sa i përket aspektit politik, këtu ka dicka që se ka thënë askush. Por që është aspekti më problematik, unë besoj se kjo është një dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh politik. Kjo është një dosje që lidhet me atë që unë e kam thënë “tërmeti që do krijojë Reforma në Drejtësi në këtë proces”, tha Rama.

Në fund, Rama tha se publikimi i dy audiopërgjimeve në një gazetë gjermane ka dhe dy aspekte, sugjestionimin e shqiptarëve, ndërsa aspekti i dytë lidhet me kohën e publikimit, që përkon me momentin kur Shqipëria pret dritën jeshile nga Gjermania për çeljen e negociatave. Këtë, Rama e quajti ushqim që helmon duke u dhënë argumenta atyre që duan të kapen.

Një material i tillë nuk është përdorur as për të hetuar, as për të kapur në flagrancë, por është përdorur për t`u mbajtur dhe për t`u nxjerrë nga politika për qëllime politike. Këto copa materiali dhe merren dhe nxirren që të ekspozohen në një gazetë me shumë tirazh shumë të gjatë në Gjermani, që synon dy gjëra: për të sugjestionuar shqiptarët këtu nga që e nxori Gjermania, dhe nga ana tjetër kjo ekspozohet në momentin kur ne presim nga gjermania të marrim një dritë jeshile për negociatat. Ky është ushqim që helmon duke u dhënë argumenta atyre që duan të kapen”, u shpreh Edi Rama.




Skip to toolbar