Një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda ka humbur jetën pasi u ndje keq gjatë një zhytjeje në zonën e Radhimës, në zonën e spitalieres.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte pjesë e një grupi zhytësish kur gjatë zhytjes pësoi komplikacione serioze shëndetësore.
Dyshohet se ajo mund të ketë pasur mungesë oksigjeni ose një problem tjetër shëndetësor ndërsa u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Burime spitalore bëjnë me dije se 30-vjeçarja mbërriti në gjendje shumë të rëndë, me vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni serioz. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë pak pasi mbërriti në spital.
Turistja ishte e shoqëruar nga një person tjetër, i cili është i vetëdijshëm dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Autoritetet kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
