Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka shprehur mirënjohjen e tij për shqiptarët dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt integrimit evropian, në përfundim të mandatit të tij në vendin tonë.
Gjatë ceremonisë së vlerësimit me Yllin e Madh të Medaljes “Benemerenti” nga kryeministri Edi Rama, Gonzato theksoi se për të BE-ja ka qenë gjithmonë më shumë sesa një treg apo ekonomi e përbashkët, duke e lidhur atë me vlerat e përbashkëta evropiane.
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri. Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi. Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur. Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’. Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE,”u shpreh ai.
