Komisioni për Burimet Natyrore zhvilloi diskutimet për ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, të propozuara nga kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Gjatë prezantimit të nismës, Balla theksoi se sektori i turizmit duhet të përshtatet me zhvillimet teknologjike, duke kaluar nga regjistrat e shkruar me dorë në një sistem dixhital për regjistrimin e të dhënave të vizitorëve.
Sipas tij, sistemi i ri do të garantojë mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa aksesi në informacion do të jetë i kufizuar vetëm për autoritetet e përcaktuara me ligj, si Policia e Shtetit, prokuroria dhe autoritetet fiskale, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Balla u shpreh se ky model është i ngjashëm me atë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe synon të rrisë sigurinë e turistëve, të mbrojë privatësinë e tyre, si edhe të forcojë kontrollin fiskal për të luftuar evazionin në deklarimin e kapaciteteve akomoduese.
“Nga hani u kalua te hoteli dhe tani jetojmë në epokën digjitale dhe kjo nuk mund të jetë më një listë e shkruar me dorë por duhet të jetë një sistem ku të ketë akses, të respektohen të gjitha parimet e përcaktuara për mbrojtjen e të dhënave personale. Duhet të garantohen të gjithë ata, qofshin shqiptarë apo të huaj që të dhënat e tyre të aksesohen vetëm nga autoritet përcaktuese nga ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Edhe policia e shtetit, prokuroria apo autoritet fiskale natyrshëm kanë akses të kufizuar brenda parimeve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Modeli është i njëjtë me të gjitha vendet anëtare të BE-së i cili garanton sigurinë e atyre që akomodohen, mbrojtja e të dhënave personale edhe një kontroll fiskal sepse ka një evazion të shtuar lidhur me deklarimin e dhomave të hoteleve”, u shpreh Balla.
Në lidhje me administrimin e plazheve, ai tha se Agjencia e Bregdetit do të vijojë të jetë autoriteti përgjegjës për garantimin e hapësirave publike dhe aksesit të qytetarëve në plazhe. Zonat dhe tipologjitë e aktiviteteve që do të lejohen do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Balla theksoi gjithashtu se gjatë sezonit turistik nuk do të lejohen aktivitete ndërtimore apo punime që krijojnë zhurmë në zonat me fluks të lartë turistësh, ndërsa do të hartëzohen edhe zona ku aktivitete të tilla nuk do të lejohen gjatë gjithë periudhës së përcaktuar nga ligji. Ai shtoi se ndryshimet synojnë të garantojnë një mjedis më të qetë për turistët dhe akses të lirë në plazhet publike.
“Agjencia e Bregdetit si autoritet i ngarkuar për pjesën e garantimit të hapësirave publike në plazhet publike e ka të strukturuar përmes të gjithë akteve që funksionon, mënyrën se si bën përzgjedhjen dhe mënyrën se si garanton që përveç hapësirës dhe aksesi në këto plazhe të jetë i garantuar, pjesa që lidhet me zonat do të garantohet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, do të përcaktohen zonat dhe po kështu edhe tipologjitë e aktivitetit. Çdo lloj aktiviteti që lidhet me ndërtimin dhe në një farë mënyre krijon zhurmë nuk do të mund të vazhdojë në këtë hapësirë të vitit ku është intensiteti më i lartë i turistëve. Dikush mund të thotë se Shqipëria synon 12 muaj të vitit turizëm por pa dyshim që do të jetë dhe një hartizim i zonave ku nuk ka asnjë lloj aktivitete të tillë por ligji vendos parimet. Gardhe skam më”, tha ai.
