Pranga efektivit të policisë, drejtonte grupin e shpërndarjes së drogës në Tiranë

AKTUALITET


Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Tiranës ka arrestuar një efektivë të Komisariatit Nr.2 në kryeqytet. 27 vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, vetëm inicialet L.B., me detyrë ndihmës specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.2., Tiranë, është ndaluar pasi akuzohet për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Sipas policisë, ky person së bashku me tre persona të tjerë kanë qenë nën hetim për më shumë se tre muaj, pasi përveç se ishin përdorues edhe shpërndanin lëndë narkotike. Efektivi i arrestuar ishte personi që siguronte mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke shfrytëzuar atributet që i jepte detyra. Në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk jepen, vetëm inicialet.


Ata janë një shtetas me inicialet J.K., 26 vjeç, me profesion financier, një tjetër person  me inicialet E.M 35 vjeç dhe A.K., 31 vjeç, të cilët gjithashtu akuzohen për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë me fishekë, disa telefona celularë, dy qese plasiket me landë narkotike kokainë si dhe disa kopje kartëmonedhash të huaja. Hetimet po vijojnë edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë furnizues me lëndë narkotike të personave të arrestuar.




Skip to toolbar