Projektligji, priten ndryshime për “statusin e gjyqtarëve”

Më të fundit


Deputetët e maxhorancës, Bashkim Fino, Adnor Shameti dhe Alket Hyseni, si dhe dy deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari e Myslim Murrizi kanë propozuar një projektligj për ndryshimin e disa neneve në lidhje me statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të vakumit ligjor që ëhstë krijuar. Deputetët i kanë paraqitur kuvendi një projektligj ku kërkohet ndryshimi i 16 neneve të ligjit të miratuar në 2016, ku preket statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deputetët që iniciuan këtë projektligj kanë deklaruar se këto ndryshime do të garantojnë një transparencë më të madhe në emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve.


“Projektligji propozon rregullimin dhe plotësimin e vakumit ligjor te krijuar ne përmbajtjen e ligjit nr. 96/2016 . Shtesat dhe ndryshimet e propozuara janë të domosdoshme me qellim: Plotësimin e vakumit ligjor të krijuar nga shfuqizimi i dispozitave te lidhura me shkeljet disiplinore te magjistratëve. Plotësimi i këtij vakumi ligjor është i nevojshëm për të garantuar zbatimin e parimeve te llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, bazuar në elementët e procesit të rregullt ligjor, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare; Garantimin e mirëfunksionimit normal dhe në përputhje me kompetencat e parashikuara ne ligj, te Inspektorit te Larte te Drejtësisë, si organi përgjegjës për hetimin e shkeljeve te kryera nga gjyqtaret dhe prokuroret. Garantimin e mirëfunksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si organet përgjegjës për të vendosur në lidhje me procedimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe masat disiplinore ndaj tyre.” – thuhet në relacionin shoqërues të këtij projektligji.

Në relacion paraqiten të 16 nenet që kërkojnë ndryshim dhe ajo që vihet re është se tashmë magjistratëve, ndaj të cilëve ka nisur një shkelje disiplinore, kanë të drejtën të njihen me dokumentet e dosjes dhe të marrë një kopje të saj, përpara se Këshilli të marrë vendimin. Më parë ato nuk e kishin këtë të drejtë. Megjithatë, ligjvënësi ka parashikuar disa raste, kur gjyqtarit ose prokurorit, i kufizohet e drejta për tu njohur me dosjen dhe kjo ndodh kur shkaktohet një dëm I rëndë për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, apo cenohen të drejtat e një personi tjetër. Projektligji pritet që të diskutohet dhe kalojë për miratim në Parlament këtë vjeshtë.




Skip to toolbar