Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nga mbikalimi i Bradasheshit në Elbasan ka mbajtur fjalën e tij gjatë protestës së zhvilluar për dy orë. I rrethuar nga qindra qytetarët që kishin dalë për të protestuar për një të ardhme më të mirë, Basha tha se Rama është shkaktari i vetëm i krizës në vend, ai është e keqja e këtij vendi.
“Rama është shkaktari i krizës në vend dhe njeriu që i mbylli sërish derën Europës. Rinia shqiptare dhe qytetarët jetojnë sot në kohët më të pasigurta duke i shtyrë drejt emigracionit, pasi nuk gjen shpresë në një vend ku ekonomia është në duart e kriminalëve dhe nuk kanë lënë asnjë aset publik pa vjedhur.’ – tha Basha
“Nëna e gjithë këtyre të këqijave është vjedhja e votës së lirë nga Rama dhe bandat kriminale.” u shpreh Basha duke theksuar se me Ramën nuk mund të ketë siguri dhe zhvillim, por vetëm drogë dhe papunësi. Kryedemokrati tha se me Edi Ramën Shqipëria po kalon ditët më të zeza që nga dalja e diktaturës.
“Sot do të vulosim largimin e Ramës dhe bandës së tij kriminale. Ato e vulosën fatin e tyre kur tradhtuan interesat e njerëzve të thjeshtë dhe nuk ka forcë mbi tokë që i shpëton. Ne jemi bashkë për të çelur një ditë të re shprese për Shqipërinë, me besimin e një të nesërme ndryshe ku ligji do të jetë i barabartë për të gjithë.” – tha Basha
Basha theksoi se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje farse pa opozitën, ku qeveria kërkon të marr peng bashkitë, por do të ketë një qeveri tranzitore pa Ramën.
“Më 30 qershor ne nuk do të lejojmë më krimin të diktojë zgjedhjet në Shqipëri. Nuk do të lejojmë farsë zgjedhore, zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë proces farsë zgjedhor ku dhunohen shqiptarët dhe kapen peng bashkitë që të zhvatin qytetarët. 30 qershori do të jetë dita e bashkimit të gjithë shqiptarëve për të përcaktuar me vullnetin tonë një ditë tjetër për zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare nën kujdesin e një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër.” – tha Basha
Kryedemokrati Basha e mbylli fjalën e tij me thirrje për të protestuar deri sa Rama të largohet. Mbyllja e fjalës së tij, vendosi edhe përfundimin e protestës.