Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit e nxorri PD-në jashtë çdo pushteti si qendror ashtu dhe vendor, por pavarësisht kësaj opozita nuk ka menduar një strategji të re, por vazhdon t’i qëndrojë aksionit 6 mujor të protestave, që u ndërpre për shkak të plazhit dhe pushimeve verore, por që sipas Bashës, do të nisë në shtator.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi firmosi të premten një kontratë që s’ka asnjë fuqi ligjore, me banorët e Unazës së re, sikurse bëri edhe me aktorët protestues kundër shembjes së Teatrit, njoftoi se në shtator do të nisin protestat popullore për të larguar Ramën.
“Laku po ngushtohet e po shtrëngohet e despotit të inkriminuar dhe hajdutit psiqik Edi Rama. Koha për të dhënë llogarinë finale para popullit po afron, dhe unë kam kënaqësinë dhe nderin, që para nisjes së shtatorit të protestave popullore dhe të dialogut kombëtar e platformës kombëtare “Për Shqipërinë si e gjithë Evropa”, që këtë ta nisim me nënshkrimin e Marrëveshjes së sotme, marrëveshjes dhe kontratës me banorët e Unazës së Re”, tha Basha të premten.
Ndërsa në PD shtohet zërat kundër tij dhe nisjen e lëvizjes Basha IK, kreu i PD-së, kërkon të mbajë gjallë frymën opozitare. Që të shpëtojë veten dhe të mos pranojë dështimin e aksionit opozitar që e nxorri PD-në jashtë loje, Basha vijon t’i mëshojë fort skenarit të protestave dhe duket se në këtë pikë mbështetet edhe nga presidenti Meta.
Ai njoftoi të premten se nuk do të dekretojë datë të re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, duke shkelur sërish kushtetutën dhe duke krijuar ngërç në drejtimin e bashkisë së këtij qyteti.
Meta vazhdon të kërkojë zgjedhje në 13 tetor, ndërkohë që e di shumë mirë se kjo data është antikushtetuese, që nuk pranohet as nga Rama as nga Basha dhe nga institucionet në vend.
Megjithëse bën thirrje për marrëveshje e kompromis mes palëve duke përmendur 18 tetorin dhe vendimin që Këshilli i Europës pritet të marrë për Shqipërinë për çeljen e negociatave, duket se Metës më shumë i intereson mbajtja e vendit në krizë. Të paktën këtë e vërteton me aktet e tij. Nëse do të dekretonte zgjedhjet e pjesshme në Shkodër kjo do t’i jepte një shans zgjidhjes së krizës dhe një mundësi edhe opozitës të dalë nga ngujimi dhe të futet në zgjedhje. Por si Basha dhe Meta deri tani me aktet e tyre paralajmërojnë protesta dhe kaos në prag të çeljes së negociatave duke përsëritur të njëjtin skenar si në qershor ku negociatat u shtynë për shkak të krizës politike në vend./realstory.al