1300 protestues u arrestuan nga policia në Moskë gjatë një tubimi që kishte për qëllim kundërshtimin e vendimit të autoriteteve ruse, për të përjashtuar disa anëtare të opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 8 shtator. Tubimi, i konsideruar i jashtëligjshme nga policia, çoi në arrestimin e 1300 protestuesve, madje disa edhe kalimtarë të rastit.
Policia i bënte thirrje me megafon turmës, që të shpërndaheshin, në të kundërt do të përballeshin me ligjin që po organizonin demonstrata të paligjshme dhe po bllokonin rrugët.
Sipas autoriteteve vendase, personat e ndaluar për të marrë pjesë ne zgjedhje nuk kishin mbledhur firmat e nevojshme për të kandiduar edhe pse opozita pretendon të kundërtën. Autoritetet ruse përjashtuan rreth 30 persona nga e drejta për të kandiduar në zgjedhje duke shkaktuar zemërimin e popullsisë.
Protesta ishte thirrur nga lideri opozitar, Aleksei Navalny, i cili është arrestuar më 24 korrik dhe është dënuar me 30 ditë burgim për thirrje të protestave.