Superfuqitë botërore përplasen ashpër në Asamblenë e OKB, ç’ndodhi mes SHBA, Kinës e Rusisë

Përplasjet në rritje midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër u shfaqën hapur të enjten në periferitë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke kërcënuar të hedhin hije mbi bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me koronavirusin.

Asambleja e këtij viti është mbajtur në internet për shkak të pandemisë dhe fokusi i saj ka qenë përballja me COVID-19 përmes veprimeve të efektshme shumëpalëshe.

Në një aktivitet periferik në Këshillin e Sigurimit për këtë temë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu shqetësimin se pandemia po shpaloset në një sfond “tensionesh të larta gjeopolitike”.

“Pandemia është një provë e qartë e bashkëpunimit ndërkombëtar, një provim që ne nuk e kemi kaluar në thelb,” tha zoti Guterres në videokonferencën e organit më të fuqishëm të OKB-së. Tensionet u shfaqën hapur në Këshillin e Sigurimit, ndërsa ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë folën për mosmarrëveshjet e tyre me Shtetet e Bashkuara.

“Në një moment kaq sfidues, vendet e mëdha kanë një detyrim akoma më të madh që të vendosin të ardhmen e njerëzimit në plan të parë, të hedhin poshtë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimin ideologjik si dhe të bashkohen në frymën e partneritetit për të kapërcyer vështirësitë”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Homologu i tij rus tha se diferencat midis disa vendeve janë ringjallur dhe rritur nga ndikimi i virusit.

“Një numër shtetesh tundohen gjithnjë e më shumë të kërkojnë jashtë vendit për të gjetur përgjegjësit për problemet e tyre të brendshme,” tha Sergej Lavrov. “Ka përpjekje të dukshme nga shtetet e veçanta për të përdorur situatën aktuale për të promovuar interesa të tyret kalimtare dhe për të larë hesape me qeveritë e padëshiruara ose rivalët gjeopolitikë,” tha ai.

Disa aleatë të SHBA ishin gjithashtu kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe administratës Trump.

Potenciali për bashkëpunim

“Ne duhet të përqendrohemi në potencialin pozitiv të bashkëpunimit në vend që t’i vendosim vendet tona në plan të parë”, tha ministri gjerman i Shtetit Niels Annen. “Nëse dikush nga ne dështon, të gjithë dështojmë.”

Ambasadorja amerikane Kelly Craft u tregua e prerë në përgjigjen e saj, duke iu drejtuar të gjithë këshillit me fjalët: “Turp për secilin prej jush” që përqendroheni “te inatet politike”. Ajo vuri në shënjestër Kinën dhe përsëriti qëndrimin e fortë të Presidentit Donald Trump se Pekini duhet të mbajë përgjegjësi si burim i pandemisë.

“Veprimet e Partisë Komuniste Kineze provojnë se jo të gjitha vendet anëtare janë të përkushtuara në mënyrë të barabartë për shëndetin publik, transparencën dhe detyrimet e tyre ndërkombëtare,” tha ajo. “Ky fakt duhet të shqetësojë thellë të gjitha vendet e përgjegjshme të botës që po punojnë me mirëbesim për të mposhtur COVID-19 dhe për të parandaluar pandemitë në të ardhmen.”

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, u kundërpërgjigj, duke i thënë zonjës Craft: “Mjaft më”. Duke pranuar se vendi i tij ishte i pari “që u godit” nga virusi, ai tha se (Kina) kishte dhënë një kontribut të madh në përgjigjen globale.

Ai vuri në dukje se SHBA ka gati 7 milion nga pothuajse 32 milion rastet e konfirmuara të virusit në botë dhe 200,000 vdekje.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë se dështimi i tyre në trajtimin e COVID-19 është krejtësisht faji i tyre,” tha ambasadori kinez.

Tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë qenë të dukshme këtë javë në fjalimet e udhëheqësve të tyre në Asamblenë e Përgjithshme dhe në aktivitetet periferike në OKB.

Kina, në shënjestër për virusin

Të martën, Presidenti Trump i tha Asamblesë se Pekini duhet të “mbajë përgjegjësi” për faktin që bëri bllokimin (e qyteteve) në ditët e para të virusit, por duke lejuar që udhëtimet ajrore nga Kina të vazhdonin “dhe të infektonin botën”.

Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo gjithashtu vuri në shënjestër Kinën këtë javë, duke thënë se administrata është në procesin e përcaktimit se si ta etiketojnë shtypjen e Pekinit ndaj muslimanëve ujgurë – si “krime kundër njerëzimit” apo si “gjenocid”. Terma të tillë kanë peshë të madhe në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes vendeve.

Nndërkaq, në komentet drejtuar Uashingtonit, Presidenti i Kinës Xi Jinping dënoi përpjekjet për ta politizuar ose stigmatizuar virusin./VOA

Gjurmë të ‘Noviçok’ në shishen e liderit të opozitës, Kremlini: Ka shumë absurditet në këtë çështje

Kremlini i ka quajtur “absurde” raportimet se lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, për të cilin Gjermania dhe qeveri tjera perëndimore thonë se është helmuar me agjent nervor, ka gëlltitur substancën nga një shishe e ujit në dhomën e tij të hotelit në Siberi.

Ekipi i Navalnyt ka thënë se shishja e ujit është larguar nga dhoma e tij e hotelit në qytetin Tomsk, pasi ai është sëmurë keq muajin e kaluar.

Sipas këtij ekipi, në shishe janë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë pretendimet, duke vënë në pikëpyetje vërtetësinë e tyre.

“Neve na është thënë se ka gjurmë të Noviçokut në shishe, mirëpo ekspertët kanë thënë se nëse vërtet ka pasur gjurmë të Noviçokut në shishe, të paktën personat që e kanë prekur atë apo ata që kanë qëndruar afër do t’i ishin ekspozuar”, ka thënë Peskov.

“Kjo gjë është në kundërshtim me përfundimet e ekspertëve. Nëse ka pasur shishe, pse është larguar? Ndoshta dikush nuk ka interes që të nisin hetime. Ka shumë absurditet në këtë çështje që na mban larg besimit në këto deklarata, pa pasur prova”, ka shtuar ai.

Përplasje me forcat ruse, SHBA-ja dërgon trupa në Siri

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar prezencën ushtarake në Siri, pasi disa forca ushtarake rusë kanë intensifikuar tensionet në këtë vend.

Incidentet në mes të forcave amerikane dhe ruse që kontrollojnë këtë zonë kanë eskaluar këtë vit.

Kapiteni i ushtrisë amerikane Bill Urban, tha se ky vendim do të sigurojë stabilitet të forcave të koalicionit.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me askënd në Siri, por do të mbrojmë forcat e koalicionit nëse është e nevojshme”, tha Urban.

BBC raporton se disa zyrtarë amerikanë kanë thënë që trupat dhe automjetet ushtarake janë dërguar për të ndaluar forcat ruse që të hyjnë në zonën e sigurisë, ku zhvillohet koalicioni mes SHBA-së dhe kurdëve.

Incidentet në mes të forcave ruse dhe amerikane në Siri janë shtuar në javët e fundit.

Në tetor të vitit 2019, presidenti amerikan Donald Trump vendosi të tërheqë trupat amerikane që ishin duke vepruar në mbështetje të aleancës së udhëhequr nga kurdët. Por, disa muaj më vonë, Trump vendosi të mbajë edhe disa qindra trupa në këtë vend.

Dorëhiqet Medvedev, Putin emëron kryeministrin e ri rus

Mikhail Mishustin është emëruar kryeministri i ri i Rusisë nga presidenti Putin, vetëm pak orë pasi Dmitry Medvedev dhe qeveria e tij dhanë dorëheqje, në përgjigje të thirrjes së Putinit për ndryshime të mëdha kushtetuese.

Mishustin, 53 vjeç, mbante postin e Shërbimit Federativ të Taksave që prej 2010, ndërsa ka punuar në qeverinë ruse që në vitin 1998. Emri i tij është dërguar nga presidenti Putin në parlament për miratim.

Të mërkurën, Putin bëri thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024 dhe në të njëjtën kohë bëri dorëheqjen edhe Medvedev për “t’i siguruar presidentit mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme”.

Putin tha se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin, por që Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.  

“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësat e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, tha Putin.

Rama për Realstory konfirmon vizitën në Rusi: Pjesë e axhendës në kryesimin e OSBE

Edi Rama nuk ka zhvilluar asnjëherë një vizitë në Rusi me detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe nuk ka zhvilluar takime me presidentin Putin, por duket se kjo do të ndryshojë shumë shpejt për shkak të detyrës dhe rolit të ri të Shqipërisë si kryesuese e OSBE për 2020. I pyetur nga gazetari i Real Story, Thimi Samarxhiu nëse pritet të zhvillojë takime në Rusi, Rama u shpreh se shumë shpejt do të zhvillojë një takim të tillë si drejtues i kryesisë së OSBE-së, ndërsa vizitat do të shtrihen edhe në SHBA dhe Ukrainë.

“Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE. Është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë. Kemi bërë harmonizimin e takimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE me ato të brendshme. Disa vizita do të bëhen shumë shpejtë. Vizita në Ukrainë, SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmimin nga të gjitha palët”,  shpreh Rama.

Se sa e vlefshme do të jetë edhe për Kosovën fakti që Shqipëria kryeson OSBE për 2020, Rama tha se të gjitha prioritetet dhe vendimmarrjet që do të merren gjatë drejtimit të zyrës së OSBE duhet të miratohen edhe nga të tjerët, por shtoi se janë parë me kujdes që të mos jenë dëshira të parealizueshme dhe që t’i shërbejnë edhe Kosovës. Rama tha se do të bëjë diçka për Kosovën, ndërsa shtoi me ironi “aq më tepër që në Prishtinën zyrtare jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar” duke iu referuar sulmeve në lidhje me “mini-shengenin”.

“Do të bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar. Ne nuk marrim drejtimin e OSBE dhe nuk e marrim drejtimin për të rindërtuar OSBE apo rishpikur mekanizmat apo qasjen tradicionale, pasi faktikisht ne vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumë koordinim me të tjetër dhe vendimmarrje që duhet miratuar patjetër me të tjetër. Nuk është le të themi drejtimi i një qeverie në një vend dhe në këtë aspekt sigurisht që kemi disa ambicie dhe kemi vendosur disa prioritete dhe kemi qenë të vëmendshëm që në këto prioritete të mos vendosim dëshira të parealizueshme. E kemi kapacitetin e duhur për të bërë diçka më tepër për Kosovën sidomos tani që në Prishtinën zyratre jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”, tha Rama.

Masakroi të dashurën, kapet duke i hedhur pjesët në lum

Një 63-vjeçar u arrestua pasi u kap në flagrancë duke hedhur pjesë të trupit të të dashurës së tij në lum, pasi e kishte masakruar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Rusi, ku 63-vjeçari pasi masakroi trupin e të dashurës 24-vjeçare, do shpërndante pjesët e saj në vende të ndryshme.

Ai u kap duke i hedhur krahët në lumin e Shën Petersburg, ndërsa gjatë kontrollit policia gjeti në shtëpinë e tij kokën dhe trupin.

24-vjeçarja e identifikuar si Anastasia Jasçenko, ishte studentja dhe e dashura e tij.  63-vjeçari Oleg Solokov ishte një nga historianët më të njohur ushtarak në Rusi. Ai i tha policisë se e vrau pa dashje të dashurën gjatë një debati, ndërsa e masakroi për të humbur gjurmët.

Doli për vrap dhe nuk u kthye më. Sportistja gjendjet e vdekur në rrugë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Rusi, ku një nga sportiste më të njohura dhe vlerësuara është gjetur pa shenja jete në rrugë. Atletja ruse, Margarita Plavunova, kishte dalë pak minuta më parë për të vrapuar si zakonisht, por nuk është rikthyer më në shtëpi. Ajo u gjet e vdekur pak minuta larg shtëpisë në një park.

Kampionia e garave me pengesa, 25 vjeçarja Plavunova ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak si pasojë e ngarkesës së lartë të stërvitjes. Plavunova ishte një kampione e shumëfishtë dhe ka marrë pjesë edhe në garat kombëtare të Rusisë.

Adoleshenti masakron me sëpatë familjarët: E bëra të mos vuanin

Një 16-vjeçar ka masakruar me sëpatë të gjithë anëtarët e familjes së tij dhe më pas ka vrarë edhe veten. Ngjarja makabre ka ndodhur në një fshat në Rusi, ku 16-vjeçari Timur Kimaletdinov, masakroi nënën e tij, dy motrat binjake 4-vjeçare dhe dy gjyshërit e tij.

16-vjeçari, i konsideruar si “krenaria e familjes” për shkak të rezultateve tepër të larta që merrte gjithmonë në mësime dhe kurset që ndiqte, pas vrasjes së tyre i ka dërguar një mesazh shokut të tij të ngushtë ku i shkruante ndër të tjera se “vrasjet ishin të lehta dhe e bëri që ato të mos ndjenin më dhimbje”. Më pas ai ka vrarë edhe veten.

Policia është duke hetuar rastin e rëndë dhe që la të tronditur të gjithë banorët në zonë.

Rusia modernizon ushtrinë serbe, por Vuçiç nuk pranon të tregoj si i solli

Në Serbi mbërriti kontigjenti i parë i ndihmave ushtarake nga Moska me tanke dhe mjete të blinduara, të cilat Rumania nuk i lejoi javën e kaluar të kalonin tranzit në territorin e saj për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës. Presidenti serb Aleksander Vuçiç falenderoi sot homologun rus Vladimir Putrin për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij, por nuk pranoi të tregonte se si kishin mbërritur pajisjet ushtarake.

“Do ta përsëris për ata që nuk e dinë: armët janë dhuratë, mjete plotësisht moderne nga Rusia. Ne nuk kemi paguar për to. Rusia ka paguar për modernizimin e forcave dhe unë i falenderoj. Kjo e shton dukshëm aftësinë tonë ushtarake. Për ne është e rëndësishme që respektuam ligjet ndërkombëtare dhe arritëm të sillnim pajisjet ushtarake në territorin tonë. Si dhe në çfarë mënyre e bëmë, është puna jonë”. – tha Vuçiç

Ndihmat ushtarake nga Rusia për Serbinë kanë shkaktuar shqetësime në Perëndim se mund të rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan.

Tentuan ta helmonin? “Armiku” i Putinit nga burgu përfundon në spital

“Armiku” i Putin, kundërshtari i tij politik, Aleksei Navalny është shtruar në spital për  “irritim i shkaktuar nga një reaksion alergjik”.

Aleksei Navalny u paraqit në spital me një “reagim të rëndë alergjik” ku filloi të ankohej për dhimbje të syve dhe djegie të lëkurës.

Mjekja personale e tij në fakt ka deklaruar se ekziston mundësia që Navalny të jetë helmuar me lëndë kimike. “Nuk mund të përjashtojmë që lëkura e tij të jetë ekspozuar ndaj një lënde helmuese dhe të jetë dëmtuar nga një palë e tretë me një substancë kimike të panjohur”, tha mjekja Anastassia Vassilieva pasi vizitoi zotin Navalny në spital.

Navalny po vuan një burgim 30-ditor kur u shtrua në spital mëngjesin e së dielës. Ai tashmë ka dalë nga spitali dhe është kthyer në burg.

Lideri i protestave në Rusi, Alexei Navalny  u dënua me 30 ditë për shkak të organizimit të një manifestimi publik të paautorizuar.

Skip to toolbar