Pse s’do marrin pjesë liderët europianë në funeralin e Mikhail Gorbachev

BOTA


Asnjë lider europian nuk pritet të marrë pjesë në funeralin e liderit të fundit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, i cili do të mbahet mëngjesin e sotëm në Moskë.

Ndërkohë që do të mungojë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Pavarësisht se Londra, Parisi dhe Berlini e vlerësojnë Gorbaçovin për kontributin e tij në përfundimin e Luftës së Ftohtë, pushtimi rus i Ukrainës ka rritur tensionet midis Perëndimit dhe Moskës.


Për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe kundërmasave ruse, fluturimet komerciale ndërmjet vendit dhe vendeve anëtare të BE-së janë pezulluar. Në të njëjtën kohë, Moska, në përgjigje të sanksioneve perëndimore, ka ndaluar hyrjen e politikanëve perëndimorë në territorin e saj.

Pse liderët europianë nuk do të marrin pjesë në funeralin e Gorbaçovit?

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nuk kishte marrë një ftesë për të qenë prezent në funeralin e Gorbaçovit. Paraardhësja e tij Angela Merkel e refuzoi ftesën, për arsye shëndetësore.

Megjithatë, në ceremoni do të marrin pjesë diplomatë dhe ambasadorë, përfshirë ambasadorin francez në Moskë Pierre Levy, si dhe amerikanin John Sullivan. Të enjten, Putin shkoi në spitalin e Moskës ku 91-vjeçari Gorbachev vdiq pas një “sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë”, raporton abcnews.al.


Presidenti rus vendosi një buqetë me trëndafila të kuq pranë arkivolit të hapur të liderit të fundit të BRSS, mbajti një minutë heshtje dhe uli kokën në shenjë respekti. Megjithatë, në Rusi nuk është shpallur ditë zie kombëtare, megjithëse, siç nënvizoi Kremlini, ceremonia e tij do të ketë “të gjitha elementet e një funerali shtetëror”.

Vajza e Gorbaçovit, Irina, është shprehur se ceremonia do të jetë modeste dhe do të zhvillohet sot në orën 10:00.

Gorbaçovi do të varroset në varrezat Novodevichy të Moskës pranë gruas së tij Raisa e cila vdiq në 1999.




Skip to toolbar