Banorët e Fushë Krujës nuk do të shohin më përmbytje nga lumi Zezë. Qeveria ka nisur punimet për thellimin e shtratit të lumit dhe sistemimin e anëve të saj, për të parandaluar përmbytjet e ardhshme. Ky lum ishte mjaft problematik për zonën sa herë që kishte reshe shiu, pasi dilte nga shtrati dhe rrëmbente çdo gjë që gjente para. Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në rehabilitimin e lumit Zezë dhe ndërtimin e një ure në të. Kryeministri kërkoi që godinat që hyjnë në shtratin e lumit duhet të largohen njëherë e mirë.
“Është mirë të bëhet një sistemim që të mos jetë një histori ferrash dhe ndërhyrjesh, është mirë që të bëhet një sistemim nga të dy anët, me vendos edhe një brez të gjelbër pemësh. Nuk është thjeshtë nga ana estetike, por edhe aspekti mjedisor. Edhe ato godinat që hyjnë dhe fusin hundën në shtrat duhen prishur, nuk mund të vazhdojnë të rrinë ashtu. Rehabilitimi lumit është në zhvillim e sipër dhe sipas drejtuesit të projektit respekton plotësisht standardet mjedisore. Parashikohet sistemimi i gjithë shtratit me beton, në mënyrë që të ketë vazhdimësi edhe për mirëmbajtjen.” theksoi Rama, i cili tha se ky projekt do të jap një dimension të ri infrastrukturës së zonës.
Pas Fushë Krujës, Rama ka inspektuar edhe punimet e rrugës në fshatin Torovicë të Lezhës, një problem 30 vjeçar për 10 mijë banorët e zonës. Pas shumë premtimeve të bëra në këto 3 dekada, Rama tha se më në fund banorëve i erdhi zgjidhja, ndërsa i fton ato të investojnë në bujqësi. Rama tha se me hapjen e rrugës, mundësitë për shitjen e tyre dhe lidhjen e kontratave me biznesmenët e mëdhenj për shitjen e prodhimeve është edhe më e madhe.
“Me rrugën e re do të kemi mundësi edhe të shisni prodhimet tuaja, pasi kjo zonë ka një qasje mjaft pozitive ndaj bujqësisë dhe rritjes së ekonomisë. Është një rrugë e rilindur. Ju bashkoheni vetëm për protesta, por ata në jug janë bashkë në shitje. Por në prodhim janë veç. Duhet bërë bashkim që të negocioni çmimin për eksport. Mos të ngelesh këtu. Dhe jo të bësh gara kush e shet me shpejt e më lirë. Atëherë vijnë ata të mëdhenjtë dhe marrin prodhimin. Bën kontrata paraprake me importues të huaj. “ tha Rama