Gjykata rrëzoi qeverinë për guroret në Tomorr: Do dalim në protesta

AKTUALITET


Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të rrëzojë vendimin e qeverisë për të mbyllur guroret në Malin e Tomorrit dhe për ta cilësuar atë Park Kombëtar. Fill pas këtij vendimi guroret kanë nisur punën pas pezullimit për 22 muajsh në këtë zonë. Por të shumtë kanë qenë banorët e zonës të cilët janë ngritur menjëherë në protesta kundër vendimit të gjykatës. Madje ata paralajmërojnë përshkallëzim të tyre deri në mbylljen e plotë të aktivitetit të guroreve në Malin e Tomorrit.

Të pranishëm në protestën e së hënës ka qenë edhe forcat e policisë për të parandaluar një përplasje të mundshme mes banorëve dhe punëtorëve të firmave, ku në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.


Vendimi i gjykatës u komentua nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili është shprehur se Gjykata Administrative është ndikuar nga biznesmenët e guroreve në Malin e Tomorrit, që prej 20 vjetësh janë duke e shkatërruar këtë park.

Klosi është shprehur se ky vendim i pesë gjyqtarëve të Gjykatës Administrative do të rrëzohet përsëri. Sipas tij, këta gjyqtarë do të përballen me peticionin e qytetarëve të të gjithë qarkut të Beratit.

Më 26 korrik të vitit 2018, Këshilli i Ministrave mori vendimin për ta shpallur malin e Tomorrit park Kombëtar dhe të mbrojtur nga qeveria.  Ky vendim erdhi pas shkatërrimit që i është bërë Malit të Tomorrit nga biznesmenët e guroreve, të cilët kanë shfrytëzuar për vite të tërë këtë park, duke i shkaktuar dëme të parikuperueshme kësaj zone.




Skip to toolbar