Qëlluan për ta vrarë për hakmarrje, s’e kapën plumbat. Dy në pranga

AKTUALITET


Dy persona janë arrestuar nga policia, pasi akuzohen se qëlluan me armë gjahu në drejtim të një personi, por fatmirësisht nuk e kapën plumbat.

Ngjarja ka ndodhur në datë 30 dhjetor në fshatin Dukas. Ka qenë 60-vjeçari Agron Hoxha, i cili ka denoncuar se dy persona qëlluan në drejtim të tij me armë zjarri.


Nga hetimet rezultoi se autorët, sipas policisë janë A. G. dhe V. L. të dy nga 34 vjeç, banues në Patos, të cilët u arrestuan. Dy të rinj tentuan që të vrasin për hakmarrje Hoxhën, i cili sapo kishte dalë nga burgu ku kishte vuajtur dënimin si bashkëpunëtor në një vrasje të kryer kohë më parë, rreth viteve ’90. Ai kishte kryer disa vite burg dhe kishte fituar lirinë duke mos qenë dhe autori kryesor i krimit. Po kështu mësohet se dy të ndaluarit sot nga policia janë të afërm të personit që ka vdekur vite me parë. Sipas burimeve nga policia, ata kanë dashur të marrin hak duke i bërë atentat 60-vjeçarit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë gjahu, një gëzhojë dhe dy fishekë.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur arsyet, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vrasje e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë ”




Skip to toolbar