Plot 1 miliardë e 224 milionë lekë janë vendosur në dispozicion të banorëve tek “Unaza e Re” si dëmshpërblim të banesave të tyre që preken nga projekti “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja””. Shpronësimi i banorëve do të fillojë menjëherë dhe se banorët duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Procedurat e kalimit të pronësisë në favor të shtetit dhe shpronësimi i banorëve duhet të nis brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi.
Banorët e Astirit, prej muajsh, protestojnë thuajse çdo ditë, ku kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për pronat e tyre, pavarësisht statusit të legalizimit të tyre. Gjatë protestave nuk kanë munguar edhe përplasjet me policinë.