Lulzim Basha ishte të premten në Durrës për të parë disa ngabanesat e prekura nga tërmeti. Ai u ndal në lagjen 17 në qytetin e Durrësit, ku një pallat, sipas banorëve ende nuk është vlerësuar nëse është apo jo i banueshëm. Gjatë takimeve në Durrës, një banor i kërkoi kryedemokratit të pranojë ftesën e Kryeminsitrit Edi Rama për t`u ulur së bashku dhe diskutuar rreth mundësive për përballimin e situatës emergjente. “Bashkërendohuni me pushtetin. Uluni, i lëmë ndasitë politike. Unë jam plotësisht dakord që jeni opozitë dhe keni frontet të ndara, keni vizionin tuaj. Unë jam i forcës kundërshtare me ju, dhe ju falënderoj që më dëgjon me respekt dhe të falënderoj që je këtu mes nesh”, i thotë banori Bashës.
Por, kryedemokrati iu përgjigj banorit duke i thënë se qeveria ka detyrat e veta, ndërsa opozita të vetat. Sipas Bashës, roli i opozitës është të përcjelli zërin dhe shqetësimet e qytetarëve. “Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karriken tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”, tha Basha.
Më tej, Basha tha se kërkoi nga qeveria që të shohet grupi i inxhinierëve për të bërë rivlerësimin e dëmeve. Ndërsa tha për banorët në zonat rurale, qeveria t`u japë para në dorë qytetarëve. “Çfarë kemi kërkuar: E para, që vlerësimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë profesionale Për këtë kemi këshilluar që të shtohet numri i inxhinierëve, përndryshe vlerësimi shtyhet, e shtyhet, e shtyhet… E dyta, të caktohen fondet, sepse vlerësimi pa fonde është zero. Sot në mëngjes, kanë pranuar një sugjerim që ua kam dhënë gjatë tre ditëve të fundit: që banorëve të zonave rurale që janë me shtëpi, t’u japin para në dorë, ta bëjnë vetë. Sepse koha nuk pret, dimri sapo ka filluar. Çfarë do të bëni, do të rrini me muaj të tërë kështu? Nuk mund të ndodhë kjo”, tha Basha ndër të tjera.