Siç ishte njoftuar dhe më herët pritet që gjatë ditës së sotme Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit për të dhënë shpjegime ne lidhje me një hetim të çelur për shpërblimet e tërmetit.
Hetimet nga SPAK po kryhet për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Suli duhet të japë shpjegim për dyshimet për abuzimin me kompesimet e fondit të rindërtimit.
Kujtojmë që në emër të banorëve të Kamzës, më 11 shtator Partia e Lirisë dhe këshilltarët e koalicionit Bashkë Fitojmë në Kamëz, kallëzuan penalisht në SPAK, kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli. Duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë bashki, ata kërkuan ndjekje penale për të zgjedhurin socialist për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje e barazisë në tendera.
Banorët e Kamzës u paraqitën të martën e kaluar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK ndaj kryebashkiakut.