Rama, komision me qytetarë për emërimin e 9 drejtorëve të rinj në Shkodër

POLITIKË


Me vendosjen e 4 koordinatorëve të rinj të PS në qytetin verior të Shkodrës, grupi socialist ka vendosur të ngrejë edhe dy komisione, në të cilat do të bëhet përzgjedhja e drejtorëve të rinj, për të zëvendësuar të dorëhequrit disa ditë më herët.

Në përpjekje për të forcuar pozitat e veta në Shkodër por edhe për të përmirësuar imazhin e PS, pas dorëheqjes së kryebashkiakut të sapozgjedhur Valdrin Pjetri, njëherësh edhe koordinator politik në atë qytet, PS ka vendosur që njëri prej komisioneve të përbehet nga 13 qytetarë shkodranë, ndërsa komisioni tjetër do të përbehet nga 4 koordinatorët e rinj të qytetit, Senida Mesi, Luan Harusha, Arben Pellumbi dhe Musa Ulqini.

Komisionet do të merren me emërimin e drejtorëve të rinj të qarkut Shkodër, ndërsa një nga porositë e hershëm të kryeministrit Rama është zëvendësimi i tyre me gra, që mund do të japin kontributin dhe performancën e tyre më të mirë. Aktualisht janë dorëhequr 9 drejtorë  të Drejtorive Rajonale, konkretisht:

Kadri Ymeri – Drejtor i DAR Shkodër

Mustaf Kraja – Drejtor i Bujqësisë Shkodër

Luan Heta – Drejtor i HEC Vau Dejës

Edmond Emini – Drejtor i Postës Shkodër ( Kryetar i PS Shkodër )

Agim Dardha – Drejtor Administrata e Zonave te Mbrojtura ne Shkodër

Astrit Beci – Drejtor i Shëndetit Publik Shkodër

Fuat Alibali – Drejtor i OST

Agim Shimaj -Drejtor i Hetimit Tatimor

Ardian Dajti – Drejtor i Spitalit të Shkodrës (e pakonfirmuar)

Futja e qytetarëve në vendimmarrje për emërimin e drejtorëve të rinj, emërimi i 4 koordinatorëve në qarkun e  Shkodrës dhe vendosja e vetes si kryekoordinator i zonës së Veriut të Shqipërisë, duket se Rama ka qëllime edhe më të të mëdha për Shkodrën. Përveç përmirësimit të imazhit të PS në qytetin verior, ai kërkon ta kthejë Shkodrën majtas, një bastion i njohur historikisht si demokrat, por i braktisur prej tyre, pasi Basha pasi nuk u dha mundësi përfaqësimi në zgjedhjet e 30 qershorit.



Skip to toolbar