Rama mbledh sot Kryesinë e re të PS, çfarë pritet të ndodhë në selinë rozë

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka planifikuar të mbledhë sot në orën 18:00 Kryesinë e re të Partisë Socialiste. Kjo mbledhje vjen një ditë pasi  Asambleja Kombëtare e PS votoi për Kryesinë e re të kësaj partie.

Raportohet se mbledhja do të ketë në fokus jo vetëm prezantimin e anëtarëve të rinj të Kryesisë me detyrat, por edhe porositë për fushatën në terren.

Gjatë këtij procesi, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, propozoi 14 kandidatë, duke ruajtur një balancë gjinore të barabartë me 7 gra dhe 7 burra. Nga këta kandidatë, 10 prej tyre u zgjodhën, ndërsa 4 mbetën jashtë listës fituese.

Lindita Nikolla, ish-kryetare e Kuvendit, mori numrin më të lartë të votave ndër gratë, duke siguruar 287 vota nga anëtarët e Asamblesë, dhe u pozicionua si figura kryesore mes tyre.

Pas saj renditen Albana Koçiu me 283 vota, Klodiana Spahiu me 279 vota, Anila Denaj me 278 vota dhe Etilda Gjonaj me 219 vota. Dy prej kandidaturave të tjera femra, Klotilda Bushka dhe Delina Ibrahimaj, nuk arritën të sigurojnë mjaftueshëm vota për të hyrë në Kryesi, me respektivisht 216 dhe 148 vota.

Në ana tjetër, Erion Braçe, një nga figurat më të njohura të PS-së dhe ish-zv/kryeministër, doli i pari me 295 vota, duke marrë mbështetje të gjerë nga anëtarët e Asamblesë. Pas tij u renditën Arben Pëllumbi me 294 vota, Toni Gogu me 250 vota, Eduard Shalsi me 241 vota dhe Igli Hasani me 228 vota. Kandidatët Pirro Vëngu dhe Vangjel Tavo nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme, duke marrë përkatësisht 210 dhe 174 vota, dhe për rrjedhojë mbetën jashtë Kryesisë.

Kryeministri Edi Rama surprizoi gjatë procesit të votimit duke përjashtuar nga lista e kandidatëve disa prej figurave më të njohura të Partisë Socialiste. Emra si Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Blerina Gjylameti, Ditmir Bushati, Ilir Beqaj dhe Armando Subashi nuk u përfshinë në garë për Kryesinë e re, një lëvizje që ngjalli diskutime të shumta.

Në përfundim të Asamblesë, përbërja e re e Kryesisë së PS-së përfshin emra si Erion Braçe, Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Toni Gogu dhe Igli Hasani nga grupi i burrave, ndërsa nga gratë u zgjodhën Lindita Nikolla, Albana Koçiu, Klodiana Spahiu, Anila Denaj dhe Etilda Gjonaj.

Gjithashtu, Rama prezantoi emrat e rinj të 12 drejtuesve politikë të qarqeve, ku përmenden figura të njohura si Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj në Tiranë, Blendi Gonxhe në Dibër, Mirela Kumbaro në Gjirokastër dhe Bledi Çuçi në Vlorë.



Skip to toolbar