Kryeministri Edi Rama ka marrë mbështetjen e Italisë për ndihmat që do të mblidhen për Shqipërinë në konferencën e donatorëve, ndërsa është takuar në Romë me kryeministrin italian, në Samitin e vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI), që mbahet në Itali.
Rama ka ndarë një video nga kjo vizitë teksa thekson se ky Samit, nën drejtimin e Italisë është një mundësi më shumë për të nxitur angazhime konkrete në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin e Shqipërisë, pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Samiti i vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI) nën drejtimin e Italisë mike, një mundësi më shumë për të nxitur pjesëmarrjen dhe angazhimet konkrete në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit”, shprehet Rama.
Kryeministri italian Giuseppe Conte, i ka kërkuar Samitit të vendeve të Nismës së Europës Qëndrore (CEI) thirrjen për pjesëmarrje dhe angazhim në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit
“Solidaritet për shtetin mik Shqipërinë që u godita nga tërmeti. Shqipëria nuk duhet të lihet vetëm në këtë situatë të vështirë pas tërmetit me 51 viktima. Folëm edhe me Këshillin e Europës për konferencën e donatorëve dhe Italia në këtë iniciativë do jetë në rresht të parë”, tha Conte.